
Rafuna i OEK-ut kërkon ndihmë: Ta vërtetojmë që vendimi i ZRrE-së nuk ka qenë ligjor dhe i drejtë
Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur sot për padinë ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhur me vendimin mbi tregun e lirë të energjisë.
“Ne, pasi që shterëm të gjitha mjetet demokratike, ishim të detyruar që t’i drejtohemi Gjykatës Supreme nëpërmjet avokatëve dhe juristëve të Odës në mënyrë që me i dhanë kahje ligjore të një vendimi të padrejtë të ZRrE-së për nxjerrjen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë”, ka thënë Rafuna në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Ne e konsiderojmë si formë të dhunshme për arsye se nuk kishte një dialog, nuk kishte një konsultim, mirëpo ishte një vendim i prerë dhe obligativ që me datën 1 qershor të gjitha bizneset duhet të dalin në tregun e lirë”.
Rafuna pohoi se vendimi në fjalë ka dëmtuar ekonominë kosovare, dhe kërkoi ndihmë nga akterët tjerë për të fituar këtë proces gjyqësor.
“Ky vendim i ka dëmtu bizneset, e ka dëmtu ekonominë e Kosovës, por i ka dëmtu edhe qytetarërt e Republikës së Kosovës”.
“Pasi që dorëzuam lëndën në Gjykatën Supreme, Gjykata Supreme na pranoi legjitimitetin në emër të të gjitha bizneseve”.
“Tani më 5 nëntor 2025 ka caktuar seancë ku ne i bëjmë thirrje, edhe përmes mediumit tuaj, gjithë ekspertëve, shoqërisë civile, që të na ndihmojnë me ekspertizën e tyre që ta dëshmojmë para trupit gjykues që vendimi i ZRrE-së nuk ka qenë ligjor dhe i drejtë për me i nxjerrë bizneset në këtë mënyrë si i ka nxjerrë në tregun e lirë”.