
Rafuna reagon ndaj deklaratës së Kurtit: Po i ndërron fjalët
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Lulzim Rafuna, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili në mbledhje e qeverisë e ka kritikuar OEK-un, duke theksuar se koha e barrikadave ka perënduar.
“Ky është një vendim i ZRrE-së. Nëse kryeministri ka deklaruar kështu, po i ndërron fjalët, sepse ka pasur një paraqitje publike ku ka thënë se ZRrE-ja është e pavarur. Ne kemi kërkuar prej qeverisë një subvencionim që ZRrE-së i nevojitet prej 50 milionëve që ta shtyjë ose me na dhënë fazën e tranzicionit që mos me dalë në tregun e lirë. Me 50 milionë që sërish nuk janë private të kryeministrit, por janë të taksapaguesve të këtyre që janë sot këtu, këta e mbushin buxhetin. Me këto 50 milionë e shpëton biznesin, shpëton qytetarët e Kosovës dhe ekonominë e vendit”.
“Ka dhënë edhe më shumë se 50 milionë për tjera qëllime. Ky është qëllim madhor, është interes publik dhe për këtë arsye qeveria duhet me mbrojt interesin publik, me mbrojt qytetarin e Republikës së Kosovës. Qytetari mbrohet në këtë mënyrë, jo duke shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën”, ka thënë Rafuna në protestën e bizneseve.