Ragip Xhaka jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së në Zvicër
Ragip Xhaka, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër.
Xhaka ka deklaruar se zgjedhjet e fundit janë një moment reflektimi për këtë parti.
“Ato kërkojnë analizë të qetë, përgjegjësi kolektive dhe angazhim të shtuar për të forcuar strukturat tona dhe për t’u përgatitur më mirë për sfidat që na presin”, ka shkruar Xhaka në “Facebook”.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë të mbetet anëtar i PDK-së.
“Dua ta theksoj qartë dhe pa asnjë dilemë: unë do të mbetem gjithmonë anëtar besnik i Partisë Demokratike të Kosovës – partisë së themeluar mbi sakrificën dhe vizionin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, partisë që i dha Kosovës lirinë dhe shtetin”, ka shkruar Xhaka.
Babai i futbollistëve Taulant dhe Granit Xhaka, ka falënderuar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, ish-kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin e Komisionit për Mërgatën, Elmi Reçica.
“Bedri Hamza, për punën dhe angazhimin e tij në një periudhë sfiduese për partinë, si dhe për ish-Kryetarin z. Memli Krasniqi, për kontributin dhe udhëheqjen e tij me dinjitet në shërbim të PDK-së dhe vendit”.
“Po ashtu, falënderoj Kryetarin e Komisionit për Mërgatën, z. Elmi Reçica, për bashkëpunimin korrekt dhe angazhimin në procesin e riorganizimit dhe forcimit të Degës së PDK-së në Zvicër”, ka shkruar Xhaka.



