Ragip Xhaka: Kur shani Granitin, shani emblemën e krenarisë shqiptare

08 shtator 2025 | 14:31

Babai i futbollistit të njohur të Zvicrës me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, ka reaguar ashpër pas një vale fyerjesh dhe shpifjesh që, sipas tij, janë drejtuar ndaj familjes së tij, veçanërisht ndaj djalit të tij, Granitit.

Në një postim të gjatë në “Facebook”, Ragip Xhaka u është drejtuar publikisht kritikëve të Granitit, duke i cilësuar sulmet ndaj tij si “sulme ndaj vetë dinjitetit shqiptar”. “O ju të mjerë, të verbër në zemër dhe në mendje – kur tentoni ta njollosni Granitin, në fakt po e njollosni veten tuaj”, ka shkruar Xhaka në një reagim emocional dhe të drejtpërdrejtë.

Ai përkujton kontributin e Granit Xhakës në sport dhe në përfaqësimin me dinjitet të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, duke sjellë në vëmendje momente kyçe si ngritja e shqiponjës në Botërorin e Rusisë, zërin e ngritur për Kosovën dhe përkushtimin e tij ndaj identitetit kombëtar.

Ragip Xhaka shprehet i zhgënjyer nga kritikat që, sipas tij, vijnë nga vetë shqiptarët. “Po sulmoni një shqiptar që kurrë nuk e mohoi prejardhjen e tij. Graniti ka ngritur flamurin kuqezi me krenari dhe ka mbrojtur nderin tonë në çdo dalje publike”, ka shtuar Xhaka. Në fund të reagimit, ai lëshon një mesazh të fuqishëm, duke e konsideruar këtë situatë si një moment reflektimi për të gjithë: “Kur e shani Granitin, nuk po shani vetëm një futbollist. Po shani familjen tuaj, po shani një emblemë krenarie shqiptare. Sepse Xhakat kurrë nuk janë gjunjëzuar – dhe nuk kanë për t’u gjunjëzuar!”.  Granit Xhaka ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes, jo vetëm për performancën e tij sportive, por edhe për qëndrimet e tij publike mbi identitetin shqiptar dhe çështjen e Kosovës. Pavarësisht kritikave, ai mbetet një ndër figurat më të njohura dhe të respektuara të sportit shqiptar në diasporë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Astrit Gashi Shkupi nuk është një qytet i zakonshëm…