
Ragip Xhaka mbështet Uran Ismailin për kryetar të Prishtinës
Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër, Ragip Xhaka, i ka dhënë mbështetje kandidaturës së Uran Ismailit për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Xhaka ka shkruar në rrjetet sociale se beson se ka ardhur koha që qytetarët e Prishtinës ta kuptojnë se kryeqyteti i Kosovës ka nevojë për një udhëheqës me vizion të qartë, përvojë pune dhe afërsi me qytetarin siç është Uran Ismaili.
“Si kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, dua t’ju konfirmoj mbështetjen time të plotë dhe të gjithë anëtarësisë së degës që përfaqësoj – jo vetëm për arsye partiake, por sepse realisht e meritoni të jeni kryetar i Prishtinës”, ka shkruar Ragip Xhaka.
Postimi i plotë i tij:
I nderuar nënkryetar i PDK-së, miku im,
Besoj se ka ardhur koha që qytetarët e Prishtinës ta kuptojnë se kryeqyteti ynë ka nevojë për një udhëheqës me vizion të qartë, përvojë pune dhe afërsi me qytetarin – dhe ky jeni ju.
Ju keni dëshmuar vazhdimisht përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri për t’u gjendur pranë qytetarëve në çdo kohë.
Si kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër, dua t’ju konfirmoj mbështetjen time të plotë dhe të gjithë anëtarësisë së degës që përfaqësoj – jo vetëm për arsye partiake, por sepse realisht e meritoni të jeni Kryetar i Prishtinës.
Puna juaj, qasja serioze dhe përkushtimi për të mirën e qytetit na obligojnë që t’ju përkrahim fuqishëm. Edhe familja ime, Xhaka, farefisi ynë dhe shumë të tjerë do të jenë pranë jush dhe do ta japin votën për ju.
Njëkohësisht, i ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës – pa dallim përkatësie politike – që ta votojnë numrin 191, sepse kandidati z. Ismajli është njeriu i duhur për t’u bërë kryetar i të gjithëve.
Ju faleminderit nga zemra,
R. Xhaka