
Ragip Xhaka me mesazh emocionues për djalin e tij: “Luani im po nis një kapitull të ri në Premier League!”
Pas zyrtarizimit të transferimit të Granit Xhakës te Sunderland në Angli, babai i tij, Ragip Xhaka, ka shpërndarë një mesazh të ndjerë nga zemra. Në fjalët e tij, ai jo vetëm që uron të birin për rrugëtimin e ri, por gjithashtu kujton sakrificat, sukseset dhe krenarinë që Graniti i ka sjellë familjes dhe gjithë shqiptarëve.
MESAZHI I RAGIP XHAKËS:
Granit, nga zemra, babi të uron shëndet, fat dhe shumë suksese në kapitullin tënd të ri!
E dimë të gjithë: në çdo ekip ku ke luajtur, ke qenë i pazëvendësueshëm, lider, dhe kapiten me zemër.
Shumë oferta kanë ardhur – ekipe të mëdha të kanë kërkuar – por ti, luani im, zgjodhe Premier League, ligën më të fortë në botë. Dhe e dimë pse: sepse ti nuk kërkon rrugë të lehta, por sfida të mëdha – aty ku bëhen legjendat!
Je rritur me punë, me sakrificë dhe me shumë zemër.
Ke bërë krenar jo vetëm familjen, por edhe krejt shqiptarët anembanë botës.
Tani, edhe njëherë, do t’ju tregosh të gjithëve se je lider i lindur, i pathyeshëm, dhe gjithmonë i denjë për më të mirën!
Zoti të bekoftë, luani im.
Të dua dhe do jem gjithmonë krenar me ty.