Rahoveci mposht Trepçën, Vëllaznimi fiton ndaj Vushtrrisë
Me rezultatin 44:22, Rahoveci e ka fituar ndeshjen e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në hendboll.
Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, të shtunën, “vreshtarët” fituan ndaj Trepçës. Granit Kadiri e Guilherme Fernandes i realizuan nga dhjetë gola për mysafirët.
Te Trepça më efikasi ishte Amar Mujka me nëntë gola, derisa pesë i realizoi Sali Maxhera.
Po të shtunën, Vëllaznimi në Gjakovë fitoi ndaj Vushtrrisë me rezultat 50:35.
Ardi Halili me 18 gola ishte më efikasi te vendasit. Amir Fazliu i realizoi nëntë për Vushtrrinë.
Rahoveci është i dyti me 45 pikë.
Vëllaznimi doli në vendin e katërt me 22 pikë, ndërsa Trepça renditet e gjashta me 16 pikë.
Vushtrria është e fundit, pa pikë.
Ndeshja mes Llapit dhe Kastriotit luhet të dielën nga ora 18:00 në Podujevë.



