
Rahoveci në finale të plejofit
04 maj 2025
| 08:10
Kampioni në fuqi, Rahoveci, është kualifikuar në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të shtunën në kryeqytet, Rahoveci e mposhti Prishtinën me rezultat 47:35. Për “vreshtarët” ishte fitorja e dytë në gjysmëfinale të plejofit.
Pjesa e parë ishte më e përafërt, ndërsa në të dytën mysafirët dominuan për shkëputje më të madhe në rezultat.
Adonit Isufi e Ardit Tafilaj i shënuan nga tetë gola për Rahovecin. Shtatë i kishte Alban Haziri.
Te Prishtina më efikasi ishte Albi Gjuka me 12 gola. Nëntë i realizoi Oltion Beshiri.
Rahoveci e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e parë. Prishtina ishte e katërta.
Në finale, Rahoveci e luan ndeshjen e parë në shtëpi e edhe ndeshjen e tretë eventuale.