
Rahoveci synon hapin e parë drejt finales
Pas një turneu shumë të mirë të Kupës së Kosovës në hendboll, gara vazhdon në kampionatin e Kosovës. Në mesjavë janë ndeshjet e para të gjysmëfinales së plejofit.
Të mërkurën prej orës 20:00 është takimi Rahoveci-Prishtina, që zhvillohet në palestrën “Mizahir Isma”. Rahoveci e ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e parë. I fitoi të gjitha ndeshjet, pos njërës në të cilën barazoi me Kastriotin.
“Vreshtarët” u ndalën në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, por janë të përkushtuar që ta mbrojnë titullin e kampionit. Prishtina stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e katërt.
Në finale kalon skuadra që i shënon dy fitore. Pas ndeshjes së dytë në Prishtinë, ndeshja e tretë eventuale do të jetë në Rahovec. Në gjysmëfinalen tjetër takohen Kastrioti e Besa Famgas.
Te hendbollistet, gjysmëfinalet e plejofit janë Istogu-Shqiponja dhe Ferizaj-Samadrexha. Këto ndeshje janë të enjten.