
Rakiqi: Nuk u pajtuam me Vuçiqin për bojkotimin e institucioneve të Kosovës
Ministri për Kthim dhe Komunitete dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët, mbase për herë të parë, nuk janë pajtuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, sa i përket bojkotimit të institucioneve të shtetit.
Ai ka thënë se të enjten kanë mbajtur një takim me Vuçiqin nga i cili janë kthyer pa përgjigje në lidhje me këtë çështje.
“Pas takimit të djeshëm me presidentin Vuçiq, mbase për herë të parë, s’kemi arritur të pajtohemi me të. Edhe pse atij i besojmë, nga ai takim jemi kthyer pa përgjigje. Ai nuk na e ka miratuar këtë që të braktisim të gjitha institucionet e Kosovës. Edhe sot i kemi thënë se ne nuk jemi ata që po e shkelim marrëveshjen e Brukselit, por është Kurti dhe do të rrimë përkrah popullit tonë dhe gjyqtarëve. Kështu ne, dhe të gjithë punëtorët e institucioneve e gjykatave, ta suspendojmë veten nga detyra”.
“I bëjmë thirrje Vuçiqit që të bëj presion të bashkësia ndërkombëtare dhe te Kurti, që të tejkalohet kjo gjendje. Ne nuk frikësohemi dhe do të rrimë këtu”, ka thënë Rakiqi në një prononcim për media.