
Rama bisedon me Angela Merkel
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë me dije se ka zhvilluar një bisedë me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Në profilin e tij në “Facebook”, Rama ka treguar se për rreth 60 minuta me kancelarin gjermane ka biseduar për planin e investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal.
Postimi i plotë i Ramës:
Me Kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë në dhjetor.
Edhe njëherë si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me Kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme!