Rama: Duhet të kemi personel të trajnuar për përdorimin e pajisjeve të reja

10 shkurt 2019 | 11:11

Në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë misionin dhe mandatin e saj të ri ushtarak, atë të Ushtrisë, është përgatitur plani 10 vjeçar për transformim konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe kritereve të  NATO-s, aty ku pretendon të bëhet pjesë edhe FSK-ja.

Forca po synon që nga viti në vit të ngritë kapacitetet logjistike dhe personelin ushtarak, gjithmonë duke u bazuar në buxhetin që ka.

Sa i përket shtimit të kapaciteteve logjistike, si pajisjet dhe aparaturat ushtarake, që FSK-ja do t’i posedojë në të ardhmen, kërkohet që fillimisht të ketë personel të trajnuar.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtnant Rrahman Rama, tha në një intervistë për “Ekonomia Online”, se ndonëse këtë vit nuk mund të pritet që Ushtria të pajiset me mjetet e reja, një gjë e tillë, sipas Ramës, do të ndodhë gradualisht.

Sipas tij, nuk është problematike pajisja logjistike e FSK-së, por rëndësi ka të ketë personel të trajnuar  që ato pajisje të përdoren.

“I kemi dhënë prioritet d.m.th pajisjeve sidomos atyre të blinduara dhe sistemit të armatimeve por me kohë do të ju njoftojmë sepse është shumë herët sepse ende se kemi panin e prokurimit. Unë nuk e shoh një problem të blerjeve por me rëndësi është që ne të kemi personelin e trajnuar, të zhvilluar profesional që ato pajisje të përdoren. Personeli jonë qofshin ushtarë, cofshin oficerë, nënoficerë të jenë të gatshëm t’i përdorim ato. Dhe kjo është qëllimi, i kemi dhënë prioritet, i kemi dhënë edhe në të kaluarën dhe ndjehem shume mirë sepse ato njohuritë bazë dhe atë bazën për përdorimin e pajisjeve më të sofistikuara i kemi dhe ne jemi vetëm duke i rritur bashkërisht me partnerët tanë që i kemi dhe kjo është ideja”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se rritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të shkojë gradualisht sipas parashikimeve dhe planit që është bërë.

Sipas Ramës, Kosova ka nevojë për pesë mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezervë në FSK.  Kjo sipas tij, është bazuar në të gjithë faktorët e vendit, si numri i popullsisë, pozita gjeografike dhe rreziqet globale dhe ato që mund t’i kanosen vendit.

“Ne kemi ardhur tek strukturës finale duke u bazuar në gjithë faktorët e vendit, duke filluar prej numrit të popullsisë në të njëjtën kohë edhe pozita gjeografike por edhe rreziqet që mund ti ketë në të ardhmen, rreziqet aktuale por edhe globale por në të njëjtën kohë edhe rreziqe që ne i vlerësojmë brenda për brenda vendit tonë dhe mbi bazën e gjitha këtyre ekspertizave, analizave që kemi bërë ne kemi ardhur në përfundim që Kosova ka nevojë që ti ketë 5 mijë nënoficer dhe oficer ose strukturë të jetë në 5 mijë aktivë dhe 3 mijë rezervë”, tha Rama për Ekonomia Online.

Me konkursin e ri për rekrutë të rinj në FSK, sipas Ramës, këtë vit pritet që Ushtrisë t’i shtohen edhe 650 ushtarë të rinj, duke i plotësuar kushtet dhe përfundimin e trajnimit nëntë javorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem…