Rama i reagon edhe njëherë Kurtit: Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt s’e jep?
Kryetari i Prishtinës, dhe kandidati për një mandat tjetër nga rradhët e LDK-së, Përparim Rama, i është kthyer edhe njëherë deklaratës skandaloze të Kurtit, i cili la të kuptohet për qytetarët që të mos votojnë kandidatë për kryetar nga partitë e tjera, sepse nuk u lëshon buxhet.
Rama e ka quajtur rrezik institucional qasjen e Kurtit, duke thënë se kjo është logjikë shkatërruese dhe se në këto kushte, Kurti nuk duhet të jetë kryeministër i Kosovës, më.
Postimi i plotë në “Facebook”.
Deklarata “nuk e jap buxhetin për…” është skandaloze.
Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt “s’e jep”?
Të popullit që e mban këtë shtet me tatime, punë dhe durim, apo të partisë që e ke shndërru në pronë private?
Albin Kurti e tha më në fund me zë të lartë atë që unë kam alarmuar prej dy vitesh: “S’ka para, s’ka përkrahje, s’ka zhvillim për komunat që s’janë me ne.”
Buxheti i shtetit nuk është shpërblim as ndëshkim, është detyrim kushtetues! Ai nuk shpërndahet sipas besnikërisë partiake. Në demokraci, kush e përdor paranë publike për të ndëshkuar kundërshtarët, është autokrat që fshihet pas fjalëve “populliste”.
Kjo nuk është më politikë është rrezik institucional!
Kur ish kryeministri flet si pronar, qytetari humb statusin e sovranit. Aty ku qytetari humb, fillon kultivimi i një autokracie të rrezikshme, që ushqehet nga servilizmi, frika dhe përfitimi.
Albin Kurti, pushteti nuk është pasqyrë për t’u admiruar. Është provim që e ke dështuar me arrogancë. Ata që i ke pranë servilët dhe të padijshmit që ta ushqejnë egon përditë ndoshta ta kanë krijuar përshtypjen se je figurë superiore,i pazëvendësueshëm, mbi ligjin dhe mbi kushtetutën.
Por nuk je.
Kosova është shtet demokratik.
Këtë duhet ta mbash mend ti dhe ata që i ke pranë, që në vend se të të korrigjojnë për deklarata kaq skandaloze, të duartrokasin me servilizëm!
Pavarësisht iluzioneve të tua, ishe kryeministër i një shteti demokratik.
Ishe, sepse me këtë tendencë shkatërruese të shtetësisë dhe me këtë përçarje të popullit, nuk do të jesh më!



