
Rama: Kam marrë siguri që nesër do të rregullohet ngrohja qendrore
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se me shqetësim e ka marrë lajmin për ndërprerjen e ngrohjes qendrore për qytetarët e Prishtinës.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet për tejkalimin e kësaj situate.
“Të dashur qytetarë të Prishtinës, me shqetësim kam marrë informatën për ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë qasje në ngrohjen termike të Termokosit. Jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet për situatën e krijuar. Ndërprerja e ngrohjes qendrore në Prishtinë, ka ardhur si pasojë e avarive në njësinë B1 të KEK-ut. Kam marrë siguri se kjo çështje do të rregullohet deri nesër. Duke ju kërkuar mirëkuptim, ju siguroj se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që varen nga ne”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.