Rama: Komitët patriotë po nxisin komunitetin mysliman t’i bashkohet revolucionit imagjinar për Bajram

23 maj 2020 | 15:19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas veprimeve të fundit të opozitës në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Rama n ë llogarinë e vet në “Facebook”, i ka quajtur komitë patriotë të gjithë ata që janë duke tentuar ta nxisin komunitetin mysliman që t’i bashkohet revolucionit imagjinar për festën e Bajramit.

“Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre”, ka shkruar Rama.

Postimi i plotë i Ramës:

Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin mysliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram

Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre.

Pasi kemi bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit, për çka jemi në dakordësi me komunitetin mysliman.

Duke ju uruar me gjithë zemër bajramin besimtarëve myslimanë, uroj edhe që hapja e xhamive (nën kujdesin e madh të drejtuesve shpirtërorë të komunitetit për respektimin e protokollit të propozuar prej vetë atyre) të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish, për të gjitha komunitetet dhe vetë Shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është shprehur e bindur se…