Rama në Jerusalem thotë se shpëtimi i hebrenjve është pjesë e ‘thesarit’ kombëtar
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, të martën ka marrë pjesë në “Natën e nderit” në Jerusalem, ku ka nënvizuar se Shqipëria ka qenë mike e hebrenjve që në kohën e tyre më të errët.
Rama ka thënë se historia e bashkëjetesës mes hebrenjve dhe shqiptarëve nuk ka nisur në Luftën e Dytë Botërore, por është një histori që ka qenë e njëjtë ndër shekuj.
“Është e rëndësishme të mos harrojmë se hebrenjtë në Shqipëri janë shpëtuar njëlloj si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët. Shqiptarët, të krishterë apo myslimanë, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë. Kjo është një krenari kombëtare, por edhe më shumë është një thesar i trashëgimisë kombëtare. Dhe ne do të bëjmë çmos ta mbajmë gjallë”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se në shtatë vjet ka pasur marrëdhënie shumë të mira midis shqiptarëve dhe hebrenjve, ndërkohë në botë ka gjuhë urrejtjeje.
“Në 7 vjet marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Izraelit, midis shqiptarëve dhe hebrenjve, gjëra të mira kanë ndodhur. Por fatkeqësisht për botën kanë qenë edhe 7 vite hidhërimi, ankesash kur bëhet fjalë për përhapjen e antisemitizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes dhe keqinformimit. Jemi këtu në këtë darkë bujare të ofruar nga një njeri me një shpirt të madh, Aleksandër, dhe i rrethuar nga miq hebrenj. Është fakt që Shqipëria është një mike e komunitetit hebre në kohën e tyre për të errët”, ka deklaruar Rama.



