Rama: Nëse qeveria nuk e përfshin buxhetin e Prishtinës në buxhetin e shtetit, ky është vendim politik
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se do të ishte vendim politik nëse Qeveria e Kosovës nuk do ta përfshinte buxhetin e kryeqytetit në buxhetin shtetit për vitin 2026.
Rama ka thënë çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë, kur “dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin’’, dhe se kryeqyteti nuk është pronë e askujt.
“Nëse qeveria nuk e përfshin buxhetin e kryeqytetit në buxhetin e vitit 2026, kjo nuk është thjesht vonesë administrative, është vendim politik! Buxheti i kryeqytetit është miratuar në Asamblenë e kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore, dhe është dorëzuar sipas procedurave. Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Më tutje, Rama ka shtruar disa pyetje për mospërfshirjen e buxhetit të Prishtinë në atë të shtetit për vitin 2026. “Prandaj shtrohet pyetja: Pse nuk po përfshihet në buxhetin e vitit 2026? A është kjo hakmarrje politike? A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e kryeqytetit? A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës? Qeveria ka obligim kushtetues dhe ligjor të trajtojë buxhetin e kryeqytetit pa diskriminim politik. Çdo veprim ndryshe është shkelje e parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve. Prishtina nuk është pronë e askujt. Është kryeqyteti i Republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake. Nëse qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-tës, atëherë le ta thotë hapur: qytetarë të kryeqytetit po ju ndëshkojmë sepse nuk na votuat neve!!! Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje!”, ka shkruar Rama.



