Rama: Nëse zhbllokohen fondet e BERZH-it për Unazën e Kryeqytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd

03 qershor 2026 | 11:17

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas debatit publik të ditëve të fundit rreth mundësisë së vendosjes së një tarife për automjetet që hyjnë në kryeqytet, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një ide në diskutim dhe jo për një vendim të marrë.

Sipas Ramës, është propozuar që automjetet që nuk janë të regjistruara në Komunën e Prishtinës të paguajnë një tarifë prej 1 deri në 2 euro për hyrje në qytet, ndërsa kamionët e mëdhenj deri në 10 euro. Megjithatë, ai ka theksuar se vendimi përfundimtar do të varet nga debati publik dhe kontributi i qytetarëve.

Rama ka sqaruar se arsyeja e shqyrtimit të kësaj alternative lidhet me nevojën për financimin e projektit të Unazës së Kryeqytetit, një investim që sipas tij do të reduktonte kolonat, ndotjen dhe do të përmirësonte qarkullimin në Prishtinë.

Ai ka bërë të ditur se paketa financiare për këtë projekt kap vlerën e rreth 206 milionë eurove, ku deri në 40 për qind e shumës janë grante që nuk do të duhej të ktheheshin nga qytetarët. Sipas tij, këto fonde nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

“Pra, nëse qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e Unazës së Qytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka shtuar se tarifa e kongjestionit po shqyrtohet vetëm si mekanizëm alternativ financimi dhe jo si qëllim për mbledhjen e të hyrave, duke ftuar qytetarët, ekspertët, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile të kontribuojnë me ide në këtë proces.
“Prishtina nuk mund të presë pafundësisht”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylie Jenner ka ndarë momente nga një udhëtim veror luksoz…