Rama: Nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje

31 mars 2022 | 12:14

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të enjten se çmimi i energjisë  për familjet nuk do të rritet. Ai ka thënë se po studiohet që për familjet e pasura të bëhet një ndarje e përkohshme që ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë.

“Në këtë paketë ne i qëndrojmë, edhe sot që flasim, asaj që kemi vendosur të bëjmë që nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po bën një studim për familjen e pasura. Jo për të rikthyer ato fashat e tmerrshme që na çuan në katastrofë dhe na lanë në buzë të humnerës në 2013, por për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë në faturën e energjisë. Ndërkohë, asnjë familje nuk do të ketë rritje në faturën e energjisë, ku ne do të vazhdojmë të paguajmë diferencën, ku sipas javëve dhe muajve është dyfish, mund të shkojë në tre dhe katërfish. Njësoj si familjet është edhe komuniteti i biznesit të vogël që duhet të mbrohet”, ka thënë Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se çdo përpjekje për të vazhduar luftën politike në vend në lidhje me pasojat e luftës në çmime është e pandershme.

“Çdo përpjekje për të vazhduar atë luftën  e katundit këtu dhe për t’i shpjeguar pasojat e luftës në çmime si pasoja që nuk kanë lidhje fare me luftën është realisht e pandershme dhe pa nder fare sepse fakti është që e gjithë bota është në këtë situatë, jo Evropa, por edhe Australia që është në fund të botës. Këtu dua t’i kthehem momentit kur dola dhe lajmërova se po futemi në një fazë kritike sa i përket nevojës për furnizim me energji elektrike, jo si rezultat e ndonjë çështje të brendshme, por si rezultat i një krize shumë më të madhe se ne. Të gjitha i thatë, por nuk thatë që kjo ishte e vërtetë. Që kjo nuk ishte fantazi apo sajesë, por ishte një fakt. Kriza energjetike sponsorizohej nga faktori që sot solli luftën. Sot është e pamundur t’i fshihesh fakteve. Sot nuk flitet më për çmime. Jo më larg se mbrëmë, ministri i Ekonomisë gjermane njoftoi se do paraqitet plani i kufizimeve me furnizim në gaz i familjeve gjermane. Që do të thotë jemi në kushtet ku kriza ka arritur të  prekë brenda shtetit më të fuqishëm të Evropës. Ja ku jemi sot që kriza energjetike është në një kulm që bota e konsideron të ngjashëm me krizën e 1974”, është shprehur Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hazir Borovci ka vazhduar të enjten dëshminë e tij në…