
Rama paralajmëron qeveri të re: Do ketë emra surprizë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se më 11 shtator do të prezantojë kabinetin e tij të ri qeveritar, katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, ai ka thënë se përbërja e qeverisë do të sjellë edhe emra surprizë.
“Besoj që jo çdo ministër apo ministre e ka parë veten në këto thashetheme se ka ndonjë që nuk është përfolur fare që të jetë aty”, ka thënë Rama.
Sipas tij, kabineti i ri do të jetë reflektim i rezultatit të 11 majit, por edhe i vizionit të tij për të ardhmen.
“Ne kemi një mandat unik, jemi forca e parë politike me 12 vite qeverisje të pandërprerë. Kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme që duhet përdorur”, ka thënë Rama.
Një nga çështjet që preku Rama ishte edhe situata e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej muajsh ndodhet në burg. Pyetjes së Blendi Fevziut se çfarë do të ndodhë me drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Rama iu përgjigj:“Nuk e di këtë, do ta shohim në vijim. Unë kam kërkuar një sërë opinionesh për të kuptuar si duhet trajtuar kjo gjë”.