Rama përplaset me gazetaren e CNN-it: Shumica e shqiptarëve e duan projektin në Zvërnec
Kryeministri Edi Rama ishte dje, 18 qershor, pjesë e panelit në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII) në Romë, drejtuar nga gazetarja Eleni Giokos, prezantuese dhe korrenspondente e CNN.
“Ne duam të martohemi me Evropën”, tha Rama teksa foli për rëndësinë e integrimit në BE, duke e cilësuar bashkimin 27 shteteve si projekti më i mirë i krijuar ndonjëherë nga njerëzimi.
“Flas për Europën si një europian shumë i bindur, sepse mendoj që Bashkimi Europian është imagjinata më e mrekullueshme, më e mahnitshme e më guximshme e njerëzimit kur bëhet fjalë për politikën. Është një projekt i mrekullueshëm, projekti më i mrekullueshëm politik që është krijuar ndonjëherë nga njerëzimi dhe potenciali është absolutisht i jashtëzakonshëm.
Patjetër që ka probleme në Europë, por unë them gjithmonë që ne jemi të dashuruar me Europën. Kështu që jam i sigurt që shumë njerëz këtu e dinë, që kur bie në dashuri të gjithë të thonë “mos nxito të martohesh sepse ne e dimë se ç’është”. Po kjo nuk të ndalon të martohesh. Do të martohesh dhe ne duam “të martohemi” me Europën sepse është vendi i duhur për të qenë. Se si do të shpalosen gjërat pastaj, është tjetër histori, por ne e duam këtë martesë, jemi të fiksuar pas saj. Do t’ia arrijmë pavarësisht gjithçkaje dhe herët më shumë se vonë”, tha Rama.
Mirëpo, një kritikë për Evropën që shefi i qeverisë shqiptare e ka thënë e herë të tjera, e përmendi dhe sot.
“Europa po humb në të njëjtën kohë atë që të tjerët po e arrijnë me hapa të mëdhenj. Kur bëhet fjalë për Europën, gjithçka shihet me shumë qartësi, çfarë mungon, çfarë ka arritur Europa. Por ka një gjë që është problem numër një, që Europa nuk po ia del dot ta trajtojë; kjo është politika, një vizion i përbashkët. Aftësia për të marrë vendime të përbashkëta”, tha Rama.
Një moment tensioni u krijua kur kryeministri Rama u pyet nga gazetarja për protestat në Tiranë dhe investimin e planifikuar për në Zvërnec, çka ishte dhe ajo që inicioni tubimet. Rama e vuri theksin përsëri tek fakti që ende nuk ka një projekt të miratuar dhe se aktualisht po zhvillohet një vlerësim i ndikimit në mjedis.
“Dëgjo, mos shko aty, sepse tani më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni një burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk është miratuar asnjë projekt. Po, ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Po, nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist që mendon drejt”, tha Rama.
Ndërkohë gazetarja Giokos vijoji më tej me pyetjen e saj duke u përqëndruar te paralajmërimet e ardhura nga Komisioni i Bashkimit Evropian për respektimin e rregullave mjedisore. Rama iu përgjigj duke thënë se shumica e popullit shqiptar e do projektin në Zvërnec dhe se natyra nuk do të prekej, përkundrazi.
Pjesë nga debati:
Rama: Kam një lajm për ju. Shumica e popullit shqiptar e do projektin. Qyteti ku do të zhvillohet projekti është, në një shumicë shumë të madhe, në pritje të tij dhe nuk ka protesta. Komuniteti ku projekti do të zhvillohet e dëshiron projektin. Pra, ajo që shihni ju nuk është saktësisht ajo që po ndodh. Zemërimi ekziston, e kuptoj, por kur të zbehet dhe kur t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në inaugurim, të gjithë do të jenë të lumtur. Dhe jam i sigurt se do të jetë një mundësi e shkëlqyer për CNN-in që të rehabilitohet.”
Gazetarja: Të rehabilitohet?
Rama: Të rehabilitohet. Ju keni nevojë për rehabilitim. Keni nevojë për rehabilitim ndaj Shqipërisë, ndaj popullit shqiptar dhe madje edhe ndaj zogjve. E dini, ju duhet një moment rehabilitimi, sepse zogjtë, ujërat, pemët dhe gjithçka tjetër do të jenë shumë më mirë se sa janë sot. Projekti synon të krijojë 25% më shumë sipërfaqe të gjelbër sesa ekziston aktualisht. Sot, ujërat e lagunës janë të ndotura dhe ne do të kemi një sistem krejtësisht të ri për t’i pastruar ato përsëri. Siç thoni ju në Shtetet e Bashkuara: t’i bëjmë ujërat sërish të pastra, jo ‘ta bëjmë Amerikën sërish të madhe’.
Gazetarja: Në rregull!
Rama: Është provokuar kryesisht sepse Kushner dhe Trump, hija pas tyre, mjaftojnë për të bërë që shumë njerëz nga vende dhe kontinente të ndryshme të reagojnë menjëherë. Por sasia e dezinformatave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të tjera dhe të paraqitura si protesta në Shqipëri, sasia e bot-eve që kanë hyrë aty nga armiku ynë… Ne kemi një armik, i vetmi armik është Republika Islamike e Iranit, dhe ata kanë tre vjet që zhvillojnë një sulm kibernetik të pamëshirshëm kundër Shqipërisë dhe janë përfshirë edhe në këtë çështje.
Kjo sasi çmendurie po gërryen demokracitë tona nga brenda dhe po e çon hapësirën europiane në drejtime që, më shpejt sesa vonë, do të shkatërrojnë plotësisht ndjesinë e politikës, vendimmarrjes dhe kompromisit në këtë pjesë të botës. Prandaj është koha që demokracitë të mos besojnë më se ‘liria e shtrirjes së informacionit’ është një zgjatim i lirisë së shprehjes. Liria e shtrirjes së informacionit është ajo që çdo regjim, përmes propagandës, ka përdorur për të futur gënjeshtrën në çdo mendje.
Investimi i planifikuar për në Zvërnec, ka ndezur protesta në Shqipëri për 18 ditë me radhë. Përveç kundërshtimit për të ndërtuar në zonën e mbrojtur, tashmë qytetarët kanë filluar dhe shpalosjen e pakënaqësive nga qeverisja. Rama dhe më herët, ka parashtruar fakte për investimit, që nga procedurat e ndjekura për blerjen dhe shitjen e pronës te investitorët e deri te studimi mjedisor që aktualisht po bëhet në zonë. Protestat, Rama i ka cilësuar si të nxitura nga propangada e shteteve të tjera, që nuk kanë interes për një Shqipëri në rritje në fushën e turizmit.



