
Rama: Po e rikthejmë Galerinë e Arteve në Prishtinë, të themeluar më 1979
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se pas më shumë se dy dekadash, Galeria e Arteve në Prishtinë po i rikthehet qytetarëve dhe artistëve.
“E themeluar më 2 shkurt 1979, kjo hapësirë në Pallatin e Rinisë ishte shndërruar ndërkohë në hapësirë afariste, por tani po e rifiton funksionin e saj të parë atë të shtëpisë së artit dhe krijimtarisë”.
“Galeria e Arteve ka qenë hapësira e parë ekspozuese në Kosovë, në kohën kur vendi ishte ende pjesë e ish-Jugosllavisë. Ekspozita e saj inauguruese, me titull “Bashkëkohësit tanë”, ishte fillimi i një periudhe të rëndësishme për artin pamor kosovar”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Ai ka thënë se rihapja e Galerisë do të shënohet me një ekspozitë të veçantë, që do të bashkojë të gjithë artistët që kanë ekspozuar në këtë hapësirë gjatë viteve ’70 dhe ’80, duke krijuar një urë simbolike mes brezave të krijuesve.