
Rama pret kryebashkiakun e Nju-Jorkut: Po punojmë për linja direkte fluturimi Shqipëri-ShBA
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në një takim zyrtar në kryeministri kryetarin e Bashkisë së Nju-Jork, Eric Adams, i cili po zhvillon një vizitë katërditore në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat pas takimit, Rama është shprehur se po përshpejtohen diskutimet për vendosjen e linjave direkte të fluturimit mes Shqipërisë dhe Nju-Jorkut një hap që do të forconte më tej lidhjet mes dy vendeve dhe komuniteteve përkatëse.
“Eric Adams ka një rol të rëndësishëm në shtytjen përpara të këtij procesi. Ai ka qenë kyç në vendosjen e linjave të tilla për qytete të tjera dhe jemi shumë afër për të konkretizuar një fluturim direkt me Nju-Jorkun”, ka thënë Rama, duke theksuar edhe interesimin e Adams për teknologjinë dhe veçanërisht për të takuar ministren shqiptare të Inteligjencës Artificiale, Diella.
Përveç fluturimeve, temë diskutimi ishte edhe turizmi dhe potenciali për investime në këtë sektor në rritje në Shqipëri.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Adams ka vlerësuar transformimin e Shqipërisë në dekadat e fundit, duke e cilësuar atë si një model për zhvillim.
“Jam këtu për të mësuar, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të forcuar lidhjet me një vend që ka një nga komunitetet më të mëdha shqiptare jashtë tij-pikërisht në Nju Jork”, ka thënë Adams.
Ai ka treguar gjithashtu interes për politikat shqiptare të emigracionit, sigurinë dhe promovimin e turizmit, ndërsa bëri thirrje për shkëmbime më të mëdha mes të rinjve të dy vendeve.
“Dua të ftoj të rinjtë shqiptarë të vizitojnë Nju-Jorkun, ashtu si dua që të rinjtë amerikanë të zbulojnë Shqipërinë”, ka thënë i ai.