Rama pritet me ceremoni zyrtare në Tokio nga homologia Takaichi: Hap i ri në marrëdhëniet Shqipëri–Japoni

22 maj 2026 | 14:24

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pritur me një ceremoni zyrtare shtetërore në Tokyo nga homologia e tij japoneze, Sanae Takaichi, në një vizitë që synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë.

Pas nderimit të dy himneve përkatëse, Rama dhe homologia e tij Takaichi kanë parakaluar para trupave ushtarakë, shkruan “rtsh.al”.

Gjatë takimit, Rama ka theksuar se pritja me nderime të larta shtetërore përbën një moment domethënës në zhvillimin e partneritetit dypalësh dhe një vlerësim për transformimin dhe progresin e Shqipërisë.

Sipas tij, ekziston një potencial i madh për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha strategjike si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi.

Kryeministri shqiptar është shprehur se Shqipëria mbështet strategjinë e një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur, duke e cilësuar atë si një vizion që promovon paqen, sigurinë, lirinë e lundrimit dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Po ashtu, gjatë bisedimeve është ritheksuar qëndrimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Japonisë në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, si pjesë e angazhimit për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

“Nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, në një moment domethënës për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit mes Shqipërisë dhe Japonisë. Vëmendja dhe interesi i saj ndaj Shqipërisë përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm për transformimin dhe përparimin e vendit tonë, si edhe për potencialin e madh të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ky potencial u pasqyrua qartë në vullnetin e përbashkët për ta zgjeruar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike, si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi. Shqipëria mbështet pa rezervë Strategjinë e Përditësuar të Indo-Paqësorit të Lirë dhe të Hapur, si një vizion që promovon paqen, sigurinë, lirinë e lundrimit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes kombeve në një rajon me rëndësi vendimtare për të ardhmen e botës. Po ashtu, Shqipëria dhe Japonia ndajnë të njëjtin qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, si një sfidë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena…