Rama reagon për dhunën e policit ndaj kamarierit në Vlorë: Përjashtim i menjëhershëm dhe ndjekje penale

27 korrik 2025 | 18:09

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas incidentit të ndodhur së fundmi në Vlorë, ku një kamarier është dhunuar fizikisht nga një punonjës i Policisë së Shtetit, i cili në atë moment ndodhej jashtë shërbimit zyrtar.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama ka kërkuar masa të rrepta ndaj efektivit të përfshirë në këtë ngjarje, duke theksuar se pezullimi është vetëm hapi i parë.

Ai kërkon që polici të përjashtohet përgjithmonë nga radhët e uniformave blu dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë sapo të dalë nga spitali.

“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë e duhur, por duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali,” ka shkruar Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka paralajmëruar se në kuadër të reformës së kontrollit të territorit, do të rritet ndjeshëm përgjegjësia ligjore për të gjithë punonjësit e shtetit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Çdo punonjës apo zyrtar i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim […] do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë rikthimi në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh,” paralajmëroi Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e PDK-së nën drejtimin e kryetarit Memli Krasniqi sot…