Rama shkruan për Hashim Thaçin: Turp për drejtësinë ndërkombëtare dhe tifozët politik që e duan çlirimtarin në burg

28 tetor 2025 | 11:23

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj atyre që, sipas tij, e trajtojnë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si armik politik, duke përfshirë edhe disa akterë të Vetëvendosjes.

Rama ka shkruar “Facebook” se historia do ta mbajë mend Thaçin si njeriun që “u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Rama.

Kryeministri shqiptar ka thënë se është “e tmerrshme të mendosh” që shpëtimtarët e një kohe kur ekzistenca e Kosovës ishte në rrezik, sot duhet të përballen me një gjykatë që, sipas tij, ka devijuar nga misioni i saj fillestar.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”, ka shkruar Rama.

Ky reagim i Ramës vjen në kohën kur ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, po përballen me procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas “Sky Sport Italia”, Luciano Spalletti është i prirur të…