
Rama: Shqipëria gati të hyjë në BE edhe pa të drejtë vetoje
Shqipëria pret që brenda pak kohësh të hapë të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian dhe sipas planit të Tiranës zyrtare diskutimi i tyre do të mbyllet brenda dy viteve të ardhshme.
Teksa synimi kryesor është që anëtarësimi me të drejta të plota në Union të ndodhë brenda vitit 2030, kryeministri Edi Rama ka dalë sot me një tezë të re.
Shqipëria është gati të pranojë të anëtarësohet në BE edhe duke hequr dorë nga e drejta e vetos për vendimmarrjet që do të bëhen në Bruksel.
Duke folur në një panel të organizuar në Londër me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, Rama tha se vendet e BE-së sot janë në të drejtën e tyre kur mendojnë se kushdo nga anëtarët mund të vendosë veton sa herë që i jepet mundësia.
“Ka një dëshpërim shumë të qartë mes vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht atyre të mëdha sa i takon barazisë përreth tryezës me 27 që duhet të arrijnë konsensus për çdo gjë. Mund ta imagjinoj që kur të na shohin edhe ne do thonë ‘Oh Zot, kemi më shumë nga ata që mund të sjellin telashe dhe në fund të thonë ‘jo, jo’ dhe pastaj në fund vendimi ka veto. Kanë të drejtë jo për veton por për faktin që janë kaq të frustuar. Për një kohë të gjatë kam thënë që marrja jonë si anëtar me një status ndryshe është e mirëpritur, pa të drejtë vetoje, pa të drejtë votimi për aq kohë sa BE do të reformojë veten. Ne do të ishim plotësisht dakord”, deklaroi Rama.
“Për aq sa na takon ne, kur vjen fjala për përputhshmërinë me politikën e jashtme të BE-së, ne i kemi dhënë të drejtën vetes atë çfarë mendojmë, por kur vjen koha për të vendosur ne jemi aty në një linjë dhe e ndjekim. Të njëjtën gjë bëjmë edhe në NATO, sepse në fakt jemi të vegjël dhe nuk na takon ne të marrim vendime dhe është një gjë e mirë. Kur ndodh një bela e madhe, ose dështim i madh askush nuk mund të na fajësojë, ndërsa kur ka sukses ne jemi pjesë e tij”.
“Unë kam qenë avokat i dy gjërave: e para që procesi nuk mund të jetë gjithccka ose asgjë që do thotë deri sa të bësh anëtar dhe për sa kohë je vetëm kandidat, nuk ke asgjë. Ajo që dua të them me këtë është që vendet anëtare përreth nesh, marrin nga BE kontribut 4500 euro për frymë, ndërsa për ne kontributi për ne është 160-170 euro për frymë. Kjo është e pamundur. Kemi avokatuar për këtë gjë dhe nga kjo nxitje që bëmë, ia dolëm që të gjejmë vesh për të na dëgjuar për të pasur këtë plan të ri të rritjes dhe para shtesë për të financuar reformat. Kjo nuk është aspak e krahasueshme me pjesën tjetër, por është diçka ndryshe”./TCh