
Rama u përgjigjet fyerjeve që iu bënë për minishengenin ballkanik
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anë të një statusi të gjatë në llogarinë e vet në “Facebook” u është përgjigjur reagimeve të shumta se përse ai vazhdoi me iniciativën e minischengenit ballkanik me Serbinë e Maqedoninë e Veriut, edhe pse Kosova kishte refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit.
Ai ka thënë se duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë.
“Piskamat tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Evropian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se mallkimet e ofendimet e kujtdo nuk e bëjnë dot as tradhtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentet në raste të tjera, nuk e bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal.
“Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë!”, ka shkruar Rama, duke shtuar se: “Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhtar jo e jo”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh i hyjnë e nga tjetri i dalin. “Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme. Deri dje, pa u hapur ky proces që sharjet, mallkimet e fabrikimet harrojeni se e ndalin, Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Zero! Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e ‘Shqipërisë së madhe’, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se kur të krijohet Qeveria e re e Kosovës do të ulën në tryezë për të vazhduar bashkëpunimin. “Tash po e shihni vetë çka sot po jua shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju. Sot e lemë me kaq, se është ditë Krishtlindjesh dhe po e mbyll me një përqafim për të gjithë ju nga unë, që vëllazërisht ju uroj çdo të mirë me këdo ju do zemra, e sa më shumë dritë në shpirt e në mendje secilit prej jush, për veten e për Kosovën dhe krejt kombin tonë natyrisht”, ka thënë Rama.