Rama: Ushtria do të veprojë në gjithë territorin e Kosovës

21 tetor 2018 | 12:14

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, e ka vlerësuar arritur të madhe shtetërore aprovimin e tri projektligjeve që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së në ushtri.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se kompetencat e FSK-së do të jenë të njëjta me ato të ushtrive moderne të shteteve demokratike.

“Aprovimi i këtyre tri projektligjeve në leximin e parë është një e arritur e madhe për Kosovën dhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës. I falënderoj të gjitha partitë politike që i kanë dhënë përkrahje FSK-së. Kjo dëshmon edhe respektin e besueshmërinë që na kanë dhënë qytetarët. Kjo është meritë e të gjithëve dhe falënderoj secilin për angazhimin. Natyrisht se tani na pret një punë e madhe dhe jam i sigurt se me këta pjesëtarë dhe zhvillimin e tyre profesional do t’i realizojmë planet tona”, është shprehur ai.

Rama ka deklaruar se FSK-ja do ta ketë për mision mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, por edhe obligimet e tjera që dalin varësisht prej nevojave të shtetit dhe qytetarëve.

“Kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë të njëjta me ato të ushtrive moderne të shteteve demokratike. FSK-ja do ta ketë për mision mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, por edhe obligimet e tjera që dalin varësisht prej nevojave që i kanë autoritetet civile. Ne jemi nën kontrollin civil demokratik dhe të gjitha obligimet, detyrat dhe nevojat që dalin prej institucioneve dhe qytetarëve, do ta kenë përkrahjen e FSK-së”, ka theksuar ai, duke shtuar se FSK-ja do të veprojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovë pa dalluar jugun apo veriun.

“Në projektligjet që janë aprovuar në Kuvend nuk shkruan në jug apo në veri, por në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ju i keni ligjet dhe mund t’i shikoni. Ligji duhet të respektohet nga të gjithë. Në detyrën ku jam mua ligji më obligon ta zbatoj sikurse që i obligon të gjitha institucionet. Unë thashë se FSK-ja do të ketë përgjegjësi për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Edhe dihen kufijtë e Kosovës ku janë”, ka thënë Rama.

Ai ka treguar se me mandatin e ri FSK-ja do t’i ketë 5 000 pjesëtarë aktivë dhe 3 000 rezervë.

“Epoka e re”: Z. Rama, Kuvendi i Republikës së Kosovës të enjten me 101 vota ka miratuar në lexim të parë tri projektligje përmes të cilëve parashihet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovë ushtri. Si e pritet këtë vendim?
Rama: Aprovimi i këtyre tri projektligjeve në leximin e parë është një e arritur e madhe për Kosovën dhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky është vetëm hapi i parë dhe tani presim edhe leximin e dytë, pastaj hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve. I falënderoj të gjitha partitë politike që i kanë dhënë përkrahje FSK-së dhe kjo dëshmon edhe respektin e besueshmërinë që na kanë dhënë qytetarët. Kjo është meritë e të gjithëve dhe falënderoj secilin për angazhimin. Natyrisht se tani na pret një punë e madhe dhe jam i sigurt se me këta pjesëtarë dhe zhvillimin e tyre profesional do t’i realizojmë planet tona.

“Epoka e re”: Cilat janë vështirësitë e procesit të transformimit të FSK-së dhe sa do të jetë kohëzgjatja e tij?
Rama: Në njëfarë forme tash fillon puna në kuptimin profesional dhe operacional. Kemi një plan afatgjatë të cilin e kemi planifikuar së bashku me partnerët tanë. Ky plan është dhjetëvjeçar. Edhe me kohën dhe me planin jemi fleksibil dhe varësisht prej situatës dhe rrethanave që do të krijohen në të ardhmen, ashtu edhe do të veprojmë.

“Epoka e re”: Cili do të jetë misioni dhe kompetencat e FSK-së tash e tutje?
Rama: Kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë të njëjta me ato të ushtrive moderne të shteteve demokratike. FSK-ja do ta ketë për mision mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, edhe obligimet e tjera që dalin varësisht prej nevojave që i kanë autoritetet civile. Ne jemi nën kontrollin civil demokratik dhe të gjitha obligimet, detyrat dhe nevojat që dalin prej institucioneve dhe qytetarëve, do ta kenë përkrahjen e FSK-së.

“Epoka e re”: FSK-ja do të ketë mision ushtarak, por emri do të mbetet i njëjtë?
Rama: Emri është çështje politike sepse pa ndryshime kushtetuese është e pamundur të ndryshohet. Mirëpo, nuk është me rëndësi emri sa është i rëndësishëm mandati dhe misioni që do ta ketë FSK-ja në të ardhmen. Emri do të jetë opsion i hapur sepse procesi do të vazhdojë dhe kurdo që të krijohen kushtet politike mund të ndryshohet. Çështja e emrit kërkon konsensus, por besoj se në të ardhmen do të ndryshohet edhe emri.

“Epoka e re”: FSK-ja do të ketë mandat të veprojë edhe në veri të vendit?
Rama: Në projektligjet që janë aprovuar në Kuvend nuk shkruan në jug apo në veri, por në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Përfshirë edhe veriun, i cili që nga lufta e fundit nuk kontrollohet nga shteti i Kosovës?
Rama: Ju i keni ligjet dhe mund t’i shikoni. Ligji duhet të respektohet nga të gjithë. Në detyrën ku jam, ligji më obligon ta zbatoj sikurse që i obligon të gjitha institucionet.

“Epoka e re”: Për hir të korrektësisë, FSK-ja do të veprojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës?
Rama: Unë thashë se FSK-ja do të ketë përgjegjësi për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Dihen kufijtë e Kosovës ku janë.

“Epoka e re”: Gjeneral, prisni reagime nga ndërkombëtarët për këtë proces, meqë ata kanë insistuar që transformimi i FSK-së të bëhet sipas ndryshimeve kushtetuese?
Rama: Çfarë reagimesh?

“Epoka e re”: Reagime përmes të cilave mund të kundërshtohet ecuria e këtij procesi?
Rama: Unë, zëvendësi dhe të tjerët kemi qenë në shumë vende të ndryshme dhe në kryeqytetet kryesore të Evropës, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shteti normal dhe i pavarur duhet t’i ketë edhe shtyllat e veta. Një prej tyre është ushtria e Kosovës. Qëllimi kryesor i të gjithë neve ka qenë që transformimi të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, mirëpo dihen botërisht arsyet pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Prandaj nuk ka ndonjë kundërshtim. Kemi qenë transparentë gjatë gjithë kohës dhe do të vazhdojmë të jemi transparentë. Gjithçka çfarë kemi bërë deri tash është bërë duke u bazuar në standardet e NATO-s dhe së bashku me NATO-n.

“Epoka e re”: Kjo iniciativë është bërë në koordinim të plotë me aleatët?
Rama: Në vitin 2009 kur është bërë transformimi i TMK-së në FSK përgjegjëse kryesore për ndërtimin e një institucioni të ri ka qenë NATO-ja. Të gjithë kemi kaluar në një proces të përzgjedhjes. Sot jemi pjesë e FSK-së. Autoriteti kryesor i bërjes së kësaj organizate ka qenë NATO.

“Epoka e re”: Këto ditë keni pasur disa vizita jashtë shtetit. E keni marrë mbështetjen e zyrtarëve të huaj për këtë çështje?
Rama: Po, patjetër. Kemi qenë edhe në ShBA. Kemi pasur takime të rëndësishme, ku edhe kemi marrë përkrahjen e plotë për zgjerimin e kompetencave të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kemi punuar në koordinim me Presidencën, Kuvendin, Qeverinë, Komisionin për Mbikëqyrje të FSK-së si dhe kemi qenë në koordinim të plotë me partnerët tanë.

“Epoka e re”: Pas vendimit për themelimin e ushtrisë, ka pasur reagime nga Serbia. Cili është komenti juaj lidhur me pretendimet e zyrtarëve serbë me këto veprime?
Rama: Nuk dëshiroj t’i komentoj reagimet e të tjerëve sepse kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe ne do ta vazhdojmë punën tonë. Po ndërtojmë një forcë që është në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallime. FSK-ja ka dëshmuar se nuk është shpenzuese e sigurisë, por konsumuese e sigurisë. Në bazë të takimeve dhe konferencave të ndryshme që kam marrë pjesë, është vlerësuar se FSK-ja është për të mirën e vendit, në të njëjtën kohë edhe për të mirën e rajonit.

“Epoka e re”: Sa do të jetë numri i pjesëtarëve të FSK-së dhe me çfarë armatimi do të pajisen?
Rama: FSK-ja do të jetë forcë ushtarake shumetnike dhe e armatosur. Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i ketë 5 000 pjesëtarë aktivë dhe 3 000 rezervë. Pra, do të ketë rritje qind për qind. Dhe rekrutimi i parë do të jetë në fillim të vitit të ardhshëm. Varësisht prej zhvillimeve do të ketë rritje të forcës.

“Epoka e re”: Nëse vazhdohet me këtë ritëm dhe sipas planit që keni paraparë, kur besoni se FSK-ja mund të bëhet pjesë e NATO-s?
Rama: NATO-ja sa është organizatë ushtarake është edhe politike. Nuk shoh ndonjë problem sa i përket anëtarësimit të FSK-së në NATO. Ky është qëllimi ynë kryesor. Mirëpo duhet ta kuptojmë se ky është edhe proces politik dhe nuk varet vetëm prej nesh. Synimi ynë kryesor është që të jemi pjesë e strukturave euroatlantike. FSK-ja do ta vazhdojë zhvillimin dhe punën në shërbim të qytetarëve dhe të vendit.

 Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani pritet të hyjë në stinën e vërtetë të vjeshtës…