Ramabaja i LV-së kërkon të nisin hetimet ndaj Lajçakut

20 janar 2023 | 16:20

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, ka kërkuar nga Parlamenti Evropian të nisin hetime për largimin e Mirsolav Lajçakut nga pozita e përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi.

Në një reagim në “Facebook”, Ramabaja ka kritikuar Lajçakun për një deklaratë të dhënë para mediave pas takimit të pesë emisarëve ndërkombëtarë me kryeministrin Albin Kurti.

“Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do vazhdojmë në Beograd”, ka thënë sot Lajçak në Prishtinë.

Kjo deklaratë, Ramabajës i është dukur skandaloze. “Kjo deklaratë skandaloze është më shumë produkt i ndërdijes së një avokati të Serbisë, se sa i vetëdijes së një përfaqësuesi diplomatik të BE-së”.

“Pas kësaj deklarate, më në fund, Parlamenti i BE-së duhet të iniciojë procesin e largimit të tij, krahas kërkesës për fillimin e hetimeve, ngjashëm siç ka vepruar ndërkohë me Komisionarin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, pasi kishte konstatuar se ai po favorizonte Serbinë gjatë negociatave të zgjerimit të bllokut”, ka shkruar Ramabaja.

Ramabaja ka thënë se Lajçaku “krahas Aleksandër Vuçiqit vazhdon të jetë tepër i interesuar që plani franko-gjerman të shpallet, që pa filluar dialogu i mirëfilltë rreth tij, si projekt i dështuar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Charles Leclerc, piloti monogask i Ferrari, kërkon që këtë sezon…