Ramadan Selimi zgjidhet kryetar i Federatës së Lundrimit të Kosovës
Ramadan Selimi eshtë zgjedhur kryetar i Federatës së Lundrimit të Kosovës në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur më 9 prill 2026.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Selimi përmes një njoftimi publik, ku ka falënderuar delegatët dhe anëtarët e Kuvendit për besimin e dhënë.
“Ky besim për mua përfaqëson një përgjegjësi të madhe, por edhe një motivim të fuqishëm për të punuar me përkushtim të plotë në zhvillimin dhe avancimin e sportit të lundrimit në Kosovë,” ka deklaruar ai.
Selimi theksoi se, së bashku me Bordin Ekzekutiv dhe organet e federatës, do të angazhohen për fuqizimin dhe masovizimin e këtij sporti, si dhe për përmirësimin e kushteve për sportistët.
Ai ka bërë të ditur se fokus i veçantë do t’i kushtohet përgatitjes profesionale të sportistëve të rinj dhe përfaqësimit dinjitoz në garat ndërkombëtare, me synim edhe pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Po ashtu, Selimi ka paralajmëruar bashkëpunim më të ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe mbështetje më të madhe për zhvillimin e klubeve të lundrimit në vend.
Në fund, ai ka falënderuar edhe një herë për besimin, duke premtuar angazhim për ndërtimin e një federate më të fortë dhe një të ardhme më të suksesshme për sportin e lundrimit në Kosovë.



