Analisti Burim Ramadani, ka treguar dy shtrembërimet që sipas tij ka tentuar t’i bëjë sot ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, pas intervistimit nga Prokuroria Speciale.
Ai ka vlerësuar se përmes ministres në fjalë qeveria në vazhdimësi po dëshmon tentim krijim të lajmeve të rrejshme dhe fshehje të shkeljeve ligjore.
Ramadani ka shkruar në “Facebook” se ministrja Hajdari po ia huq ligjit.
“Shkeljet ligjore nuk mund të fshehen përmes klasifikimit. ‘… siç e dini MINT, ka bërë blerjen e rezervës në kohën kur ishim të pambrojtur, shkurt 2022 dhe mars 2022… … Ne si Ministri e Tregtisë, e kemi klasifikuar sekret sipas ligjit për mbrojtjen e informacionit. Prokuroria Speciale bëri gabim’, paska thënë sot Rozeta Hajdari. Dy shtrembërime elementare, që në vazhdimësi dëshmojnë tentim krijim të lajmeve të rrejshme dhe fshehje të shkeljeve ligjore nga ana e qeverisë, përmes Rozeta Hajdarit”, ka shkruar ai.
Ai ka treguar se ku është duke ia huqur Hajdari.
“1. Klasifikimi i informacioneve NDALOHET në rastet konkrete dhe rasti i kontraktimit të bërë nga MINT/Qeveria është tipik i ndaluar (shih nenin 6 të Ligjit për informacionin e klasifikuar). 2. Qeveria përmes Rozeta Hajdarit thotë se kontraktimin në shkurt dhe mars 2022 e ka klasifikuar sipas Ligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Por, ky Ligj që i referohet ajo është miratuar më 9 shkurt 2023, pra 1 vit më vonë! Çfarë tentim fshehje të shkeljeve ligjore! – Çfarë FAKE NEWS tentohet të shpërndahet në ato referenca gjoja ligjore!”, ka shkruar Ramadani.