
Ramadani: Përforcimet më të mëdha janë kthimi nga lëndimi i Gavazajt dhe Shillovës
FC Prishtina ka filluar të mërkurën përgatitjet për sezonin pranveror. Të pranishëm në fushën ndihmëse të klubit në Bernicë ishin të gjithë futbollistët, përveç sulmuesit Oto John, i cili skuadrës do t’i bashkëngjitet pas disa ditësh.
Trajneri i klubit kryeqytetas, Zekirija Ramadani, ka thënë se rikthimi nga lëndimi i Enis Gavazajt dhe Alban Shillovës, mund të vlerësohen si përforcimet më të mëdha të klubit të Prishtinës për afatin kalimtar të janarit.
“Kemi filluar përgatitjet dhe pozitiv është fakti që të gjithë futbollistët janë të pranishëm, përveç Oto John. Lëndimet që kishin Gavazaj dhe Shillova janë tejkaluar dhe ata janë përforcim shumë i mirë, sepse deri tani nuk kanë qenë në qindpërqindtëshin e tyre. Me kualitetin që posedojnë do ta ndihmojnë skuadrën drejt objektivave që kemi para nesh”, ka thënë trajneri Ramadani.
“Kemi futbollistë me karakter të fortë. Falë Zotit koha po na merr shumë mirë duke i pasur kushtet optimale për punë dhe jam i bindur me punën cilën do ta bëjmë, duke e njohur karakterin që kanë futbollistët, do ta arrijmë formën optimale deri në fillimin e kampionatit. Kemi futbollistë shumë profesionistë dhe nuk do ta kemi fare problem këtë fazë të vështirë të përgatitjeve fizike. Është fazë shumë e vështirë për çdo futbollist dhe që e kemi kaluar edhe ne, mirëpo karakteri i tyre më lejon të flas me bindje të plotë që nuk do të kemi asnjë problem. E shpresoj të mos na përcjellin as lëndimet dhe tA japim maksimumin”, ka shtuar Ramadani.
Lidhur me transferet që mund të bëhen ditët E ardhshme, trajneri Ramadani ka deklaruar: “Futbollistët të cilët i kemi liruar nuk kemi llogaritur në ta. Për prurje të reja, përveç Ardit Nikës, nuk dua as të flas as të përmend emra, por jemi në bisedime me disa dhe në një kohë shumë të shkurtër gjithçka do të pasqyrohet”.
Nika pas dy vjetësh rikthehet te Prishtina
Portieri Ardit Nika rikthehet në skuadrën e Prishtinës pas dy vjetësh qëndrim si portier i parë i Flamurtarit.
“Besoj shumë se jam duke bërë zgjidhjen e duhur me rikthimin tim te Prishtina. Besoj se mund t’i arrijë ambiciet të cilat i kam, që do të thotë se pretendoj që mos të lëviz nga skuadra. Kam besim të plotë se me angazhim maksimal do t’ia arrij të jem portier i parë i skuadrës. Jam i ri, koha është në favorin tim, jam në klubin e duhur, në klubin më të madh në vend dhe me mbetet të punoj shumë dhe të dëshmoj cilësitë që kam”, ka thënë Nika për faqen zyrtare të Prishtinës.
(Epoka e re)