Ramosaj: Marrëveshja për rrugën Deçan-Plavë është e favorshme

07 dhjetor 2020 | 19:07

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj,  ka folur për problemin me hidrocentrale në këtë komunë dhe raportimin e tij para komisionit parlamentar.

Ai ka thënë se është i pakënaqur me funksionimin e këtyre hidrocentraleve dhe zbatimit të masave dhe kushteve, siç është krijimi i liqenit akumulues në Zallin e Rupës.

Ramosaj ka kërkuar që kompanitë t’i respektojnë të gjitha kushtet.

Kryetari i Deçanit ka folur edhe për rrugën tashmë të famshme Deçan-Plavë.

Ai ka thënë se kjo komunë deri në vitin 2018 nuk e ka pasur një koncept të qartë të zhvillimit ekonomik, duke e lidhur me këtë me potencalin për zhvillim që ofron kjo rrugë.

“Potencialet tona natyrore dhe resurset që i kemi janë cenuar kohë pas kohe. Në këtë situatë janë një mori ndalesash që kanë pamundësuar ndërtimin e kësaj rruge. Ne e kemi marrë një aktivitet duke filluar ndërtimin e rrugës që tashmë është vetëm 4 kilometra larg kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Ramosaj në emisionin “Imazh” të RTK-së.

Ai ka përmendur se në këtë zonë ku po ndërtohet rruga e quajtur si “Rruga e Jetës”, janë zhvilluar disa aspekte që mundësojnë zhvillimin e zonës, si energjia elektrike, fshati Belle, fshati Pleqe, qendra e skitarisë në Bjeshkën e Belegut, etj.

Duke folur për marrëveshjen e arritur me Manastirin e Deçanit për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, Ramosaj ka thënë se kjo është marrëveshje e kompromisit të dyanshëm. “Unë jam pajtuar që rruga që është afër Manastirit të kalojnë automjete të lehtë, pra deri në 3.5 tonë, kurse rruga pas Manastirit hyn në funksion për të gjitha automjetet. Po ashtu do të jetë edhe një bajpas”, ka thënë Ramosaj.

Ai tutje ka deklaruar se ky është projekti i favorshëm për Deçanin, në të kundërtën do të kishte masa që e dëmtojnë këtë komunë. “Po flasim për dy rrugë që Deçani i ka pasur të humbura, kurse tani i kemi dy rrugë që kalojnë afër Manastirit dhe kjo na dërgon një hap më tutje në realizimin e rrugës Deçan-Plavë”, u shpreh ai.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri, duke komentuar përmbajtjen e raportit…