
Ramosaj: Ua kam bërë mbi 49 kërkesa ministrave të Kurtit për takim, asnjëherë nuk më kanë pritur
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ka komunikuar vetëm tri herë, dy herë me telefon dhe njëherë me formë të shkruar.
Ramosaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tregoi se për çfarë ka biseduar me Kurtin këto tri herë.
“Me kryeministrin e Kosovës kam pasur dy komunikime në fakt tri, dy her me telefon dhe një herë me formë të shkruar. Komunikimi im i parë ka qenë në mandatin e tij të parë kur ka filluar pandemia. Komunikimi i dytë ka qenë kur ka ndodhur një rast i helmimit të ujit. Dhe komunikimi i tretë i cili ka ndodhur në rastin kur më thotë me iu drejtuar një ministrit se më rezervuar një termin me të”, tha ai.
Ai thotë se i ka bërë më shumë se 49 kërkesa drejtuar ministrave të Kurtit për t’i takuar e që sipas tij, asnjëherë nuk e kanë pritur në takim.
“Fatkeqësisht e që duhet të them publikisht janë më shumë se 7 ose 8 ministra që unë mundem me i dëshmu që kanë më shumë se 49 kërkesa për me më prit në takim për çështje eksiztenciale të Komunës së Deçanit”, tha Ramosaj.
Këto deklarata ai i ka dhënë gjatë debatit për moszbatimin e vendimit të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit kërkohet që 24 hektarë tokë t’i kthehen Manastirit të Deçanit.