Ramush Haradinaj: Rezultatet e zgjedhjeve s’do t’i zgjidhin problemet e përditshme
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ngritur shqetësimin për reduktimet e shpeshta të rrymës nëpër shumë vendbanime gjithandej vendit.
Ai tha se është i shqetësuar se rezultatet që dolën nga zgjedhjet e fundit “nuk do t’i zgjidhin problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët tanë”.
“Gjendja e rënduar me energji është alarmante. Shumë vendbanime po përballen me reduktime të tejzgjatura, në kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe dihet që shumica e qytetarëve të Kosovës ngrohjen e kanë përmes energjisë. Po ashtu, në këtë periudhë ka edhe shumë vëllezër e motra nga diaspora që po i kalojnë pushimet në atdhe”.
Ai tha se kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm.
“Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz, që të mos vazhdojë kjo traumë për qytetarët tanë, si me mungesë të energjisë ashtu edhe me fatura me çmim përtej çdo normaleje. Siguria energjetike të trajtohet si urgjencë kombëtare”.



