Ramushi gjatë luftës i tha një nëne të një luftëtari: ‘I gjallë prej Kosove nuk dal; në fund, me këtë thikë kam me luftu’

26 nëntor 2025 | 16:05

Shkruan: Ismet Haskaj, ish-luftëtar i UÇK-së

Nuk synoj të ndalem gjerësisht në zhvillimet e luftës në kufirin shqiptaro-shqiptar, ku në maj të vitit 1997 Ramush Haradinaj u plagos rëndë, ndërsa vëllai i tij, Luan Haradinaj, ra dëshmor në krye të detyrës. Po ashtu, nuk do të zgjatem në ngjarjet e 24 marsit 1998, kur Ramushi u plagos sërish nga forcat serbe — një moment që forcoi edhe më shumë bindjen e tij për qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe sakrificën e shqiptarëve në luftën për liri.

Nuk do të elaboroj as ngjarjet e 31 majit 1998, në fshatin Pobërgjë, ku ai, së bashku me Emrush Xhemailin, Murat Mazrekën dhe Faton Mehmetajn – ky i fundit i plagosur lehtë – arritën të mbijetonin një përballje të ashpër me forcat serbe.

Në qershor të vitit 1998, Ramush Haradinaj mori përgjegjësinë e udhëheqjes së UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit, duke u emëruar komandant i zonës. Edhe ofensivat e rënda të gushtit dhe shtatorit 1998, në të cilat ai mbeti me një numër shumë të vogël luftëtarësh dhe u rrethua nga të gjitha anët nga forcat serbe, nuk e thyen vendosmërinë e tij. Përkundrazi, ai u rikthye më i fortë, duke riorganizuar strukturat e UÇK-së dhe duke themeluar njësi e brigada të reja, deri në çlirimin e Kosovës.

Në vazhdën e kësaj sakrifice, familja Haradinaj përjetoi edhe një goditje tjetër të rëndë. Më 16 prill 1999 ra dëshmor strategu Shkëlzen Haradinaj. Ai u varros me nderime nga Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga disa prej luftëtarëve më të dalluar të UÇK-së, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij në luftën për liri.

Megjithatë, një moment personal meriton të veçohet, pasi e kam dëgjuar vetë. Bëhet fjalë për një bisedë të shkurtër, por jashtëzakonisht domethënëse, ndërmjet Ramush Haradinajt dhe nënës sime, në fillim të gushtit 1998. Gjatë një vizite në shtëpinë tonë, si epror i UÇK-së, ku kishte ardhur për të vizituar të plagosurit Naim Maloku dhe kushëririn tim, Ardianin, Ramushi u shpreh:

“Me së mrami, me këtë thikë kam me luftu, dhe i gjallë prej Kosovës nuk dal.”

Këto fjalë i kam dëgjuar vetë, jo të përcjella nga të tjerët. Nëna ime, me besim të palëkundur, iu përgjigj: “Me emër të Zotit, do të fitoni.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një…