Raporti alarmant i NATO-s: Rusia, kërcënimi më i madh i sigurisë! Nëse na sulmojnë, do shënjestrojnë energjinë

26 mars 2026 | 21:50

Raporti vjetor i NATO-s e identifikon Rusinë si “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin tonë në rajonin euroatlantik”, duke vlerësuar se Kremlini “ka vazhduar të testojë aleancën ushtarake perëndimore, duke u bërë gjithnjë e më i pakujdesshëm, përfshirë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktivitetit malinj kibernetik

Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, prezantoi raportin vjetor të NATO-s, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se Rusia ka të ngjarë të përqendrohet në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike, nëse Moska ndonjëherë sulmon NATO-n.
“Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më i frikshëm për sigurinë në rajonin euroatlantik. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është përpjekur të testojë sigurinë tonë dhe të sfidojë shoqëritë tona, qoftë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimeve dhe aktiviteteve dashakeqe kibernetike, apo përmes ndërhyrjes politike dhe kërcënimeve informative. Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të pamenduara, qoftë nga Rusia apo të tjerët, ka qenë e qartë, e shpejtë dhe vendimtare”.

Në kapitujt që i referohen Ballkanit Perëndimor, thuhet se prania e NATO-s në Kosovë është kyç për stabilitetin e gjithë rajonit. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vlerësohet si thelbësor për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu theksohet rëndësia e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Një pjesë e madhe e dokumentit të prezantuar i kushtohet shpenzimeve për mbrojtje, që është një kërkesë kyç e presidentit amerikan, Donald Trump. Sipas të dhënave nga raporti vjetor, anëtarët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja investuan gjithsej 574 miliardë dollarë në mbrojtje gjatë vitit 2025, që përfaqëson një rritje prej 20 për qind në terma realë krahasuar me vitin paraprak./TCH

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
SABIT PLLANA B.I "AUTO TRANSPORTUES SABIT PLLANA", shpall te pavleshme…