
Raporti i Bankës Botërore: Shqipëria, ndër vendet më të rrezikuara nga zjarret në Evropë
Në një kohë kur disa bashki po përballen me zjarre aktive, një raport i fundit i Bankës Botërore tregon se Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore në Evropë, veçanërisht zjarreve në pyje.
Sipas raportit, 95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur nga zjarret në dy dekadat e fundit, ndërsa vetëm në periudhën 1995-2015 janë regjistruar 900 raste, me dëme që llogariten në 134 mijë euro.
“Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të rrezikut nga fatkeqësitë dhe ekspozimit ndaj zjarreve në pyje, të cilat kanë prekur 95 për qind të bashkive shqiptare në dy dekadat e fundit. Nga viti 1995 deri në vitin 2015 janë regjistruar në total 900 ngjarje të zjarreve në pyje dhe vlera e dëmeve rezulton në 13.4 milionë lekë apo 134 mijë euro”, thuhet në raport.
Sipas Bankës Botërore, bashkitë me nivel më të lartë rreziku janë: Puka, Fushë Arrëzi, Mirdita, Himara, Delvina, Malësia e Madhe, Pusteci, Kukësi, Finiqi dhe Memaliaj.
Indeksi i rrezikut i bazuar në rrjetin CIMA vlerëson shumicën e këtyre bashkive me 3 ose më shumë nga 6, ku 6 përfaqëson rrezikun më të lartë.
Banka Botërore parashikon që deri në vitin 2050, reshjet vjetore do të bien me 8.5 për qind, ndërkohë që do të rritet intensiteti i reshjeve ekstreme dhe periudhave të thata, duke rritur rrezikun për zjarre dhe dëme në bujqësi e infrastrukturë.