Raporti i britanikëve për Specialen, OVLUÇK-ja: Ngre shqetësim për shkeljen e të drejtave themelore, moment për ndërgjegjësimin ndërkombëtar

30 prill 2026 | 15:54

Një raport i organizatës prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nga ku është thënë se, raporti në fjalë ngre shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara.

“OVLUÇK-ja vlerëson se ky zhvillim është një moment i rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe trajtimin e padrejtë ndaj çlirimtarëve. Drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të ndërtojnë besim dhe as të sjellin drejtësi të vërtetë”, është thënë në reagimin  e OVLUÇK-së.

Reagim i plotë:

OVLUÇK-ja rikujton se përpjekjet tona të pandërprera ndër vite, përmes qindra letrave drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takimeve me ambasadorë të shteteve mike, takime me personalitete të rëndësishme ndërkombëtare, takimeve në Parlamentin Evropian dhe në Parlamentin e Zvicrës, takimit në Vatikan, si dhe përmes protestave kombëtare si dhe në qendra evropiane dhe së fundmi edhe përmes peticionit qytetar, kanë pasur një qëllim të vetëm: ngritjen e zërit kundër padrejtësive dhe shkeljeve që po ndodhin në proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Shqetësimet tona të vazhdueshme, të ngritura me këmbëngulje në çdo forum të mundshëm, sot po gjejnë jehonë edhe në arenën ndërkombëtare. Raporti i fundit i publikuar nga një organizatë britanike për të drejtat e njeriut, i cili ngre shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara, përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara.

OVLUÇK-ja vlerëson se ky zhvillim është një moment i rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe trajtimin e padrejtë ndaj çlirimtarëve. Drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të ndërtojnë besim dhe as të sjellin drejtësi të vërtetë.

I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të marrin seriozisht këto gjetje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë angazhimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të bashkëluftëtarëve tanë, duke mos u ndalur përballë asnjë padrejtësie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një muaj dedikuar për ju duke ju ofruar çmime të…