Raporti i D+ gjen parregullsi të mëdha në ndërmarrjet publike

25 prill 2023 | 12:45

Parregullsi të shumta janë gjetur nga ndërmarrjet publike, të cilat i ka monitoruar Demokraci Plus.

Këto gjetje janë bërë nga raporti i quajtur “Monitorimi i prokurimit publik në ndërmarrjet publike: Prishtina Parking, Trafiku Urban, Kuzhina Qendrore dhe KRU Prishtina”. Ky raport i shkurtër përfshin katër tenderë të katër ndërmarrjeve të ndryshme publike.

Tenderi i parë ka të bëjë me furnizim me pajisje teknologjike të N.P.L. Prishtina Parking; tenderi i dytë ka të bëjë me servisim të aparateve për fikjen e zjarrit të N.P.L. të Trafiku Urban; tenderi i tretë ka të bëjë me furnizim dhe montim të paneleve solare të N.P.L. Kuzhina Qendrore; ndërsa tenderi i katërt ka të bëjë me furnizim me klor të gazët dhe hipoklorur natriumi të Kompania Rajonale e Ujësjellësit – Prishtina.

Disa nga gjetjet kryesore të raportit tregojnë se N.P.L. Prishtina Parking ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik, ku për blerjen e monitorëve ka favorizuar një markë të caktuar, duke vendosur një shifër që të dërgon vetëm te monitori i markës ASUS.

Ndërsa sipas raportit N.P.L. Trafiku Urban nuk ka menaxhuar përgjegjshëm ekzekutimin e kontratës për servisimin e aparateve për fikjen e zjarrit, ngase nuk janë servisuar aparatet siç janë paraparë dhe nuk është realizuar pagesa sipas planifikimit.

D+ ka bërë të ditur se N.P.L. Kuzhina Qendrore ka shpërblyer me kontratë një operator ekonomik, i cili nuk i ka përmbushur kërkesat e vendosura në dosje të tenderit.

Po ashtu, gjetjet vënë në pah se KRU. Prishtina ka shkurtuar afatin kohorë për dorëzim të ofertave në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik.

Raporti “Monitorimi i prokurimit publik në ndërmarrjet publike: Prishtina Parking, Trafiku Urban, Kuzhina Qendrore dhe KRU Prishtina” është financuar nga Bashkimi Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vijon të befasojë ekipi i Miami, që mundi me rezultat…