Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së ka përmbysur narrativën e pastërtisë morale të qeverisë Kurti

02 dhjetor 2025 | 13:28

Shkruan: Hisen Berisha

(Heshtja institucionale është strategji. Sepse pranimi i problemit nënkupton dorëheqje nga miti moral mbi të cilin ndërtohet legjitimiteti politik.)

Dokumenti vjetor mbi të drejtat e njeriut është standardi më i besueshëm ndërkombëtar për matjen e demokracisë në një vend.
Ky raport nuk është kritikë diplomatike, por akt-konstatim mbi degradimin institucional në epokën Kurti.
Zakonisht raportet e tilla vlerësuese përdorin eufemizëm për intensifikimin e veprimeve për përmirësim, por ky raport, në përmbajtje, e liston Kosovën me probleme serioze institucionale, përfshirë, citoj në origjinal nga teksti burimor:
– “Serious problems with the independence of the judiciary.” / Probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit.
– “Serious restrictions on freedom of expression and media freedom.” / Kufizime serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.
– “Serious government corruption.” / Korrupsion serioz brenda qeverisë.
Këto nuk janë fjalë të opozitës, as opinione të brendshme.
Këto janë vlerësime zyrtare të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në raport theksohen si tri gjetje thelbësore që godasin drejtpërdrejt në themelet e qeverisjes dhe funksionimit demokratik të institucioneve në Kosovë.
Sa i përket pjesës që ka të bëjë me gjyqësorin, konsiderohet i kapur, i dobët dhe joefikas. Kurti ka ndërtuar kapital politik mbi premtimin për drejtësi.
Por rapporti e kategorizon situatën gjyqësore të Kosovës me terma, citoj në origjinal nga burimi: “serious problems with the independence of the judiciary”, apo në shqip, probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit.
Kjo nënkupton presion politik, ndikim qeveritar, mosfunksionim të organeve të ndjekjes penale dhe mungesë besimi publik.
Një shtet ku drejtësia është jo e pavarur është shtet që rrezikon të shndërrohet në pushtet personal e jo institucional.
Problemin me pavarësinë e gjyqësorit raporti e ka renditur si njërin prej dështimeve më të rënda stërkeqëse të qeverisjes, një akuzë që bie drejtpërdrejt mbi mënyrën se si pushteti ekzekutiv ndërhyn politikisht në drejtësi, qoftë përmes presionit publik, qoftë përmes kontrollit të emërimeve, bllokimit të procedurave dhe instrumentalizimit të narrativës së luftës kundër korrupsionit vetëm kur i prek kundërshtarët.
Në një shtet demokratik pavarësia e gjyqësorit nuk është slogan elektoral; është kusht themelor për shtet juridik e sundim të ligjit. Dhe kur vetë raporti i SHBA-së thotë se pavarësia gjyqësore është lënduar, kjo është paralajmërim për erozion institucional.
Njolla e zezë e sistemit të drejtësisë është vetë Kurti, i cili u vu në krye të sfidimit të sistemit të drejtësisë me refuzimin e ftesës së Prokurorisë Speciale në hetimet rreth rastit “rezervat shtetërore”, kur refuzoi dëshminë me qëndrimin publik banditesk: “Unë nuk ju erdha juve, ejani ju po guxuat dhe më arrestoni”.
Po ashtu, raporti i SHBA-së ngre alarmin për lirinë e mendimit dhe shprehjes, hapësirën publike dhe sigurinë e gazetarisë kritike në raport me pushtetin.
Pjesa e raportit në të cilën trajtohet liria e fjalës dhe media theksohet se në letër konsiderohen të jenë të lira, në praktikë janë nën presion.
Raporti flet për, siç theksohet në citimin burimor: “serious restrictions on freedom of expression and media freedom”, apo në shqip, “kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së mediave”, si dhe “threats and violence against journalists”, apo në shqip, “kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve”.
Në një demokraci të shëndetshme media është “watchdog”, apo në praktikë “rojtar” që ruan demokracinë duke vëzhguar e kontrolluar pushtetin, kurse në Kosovën e sotme, përkatësisht qeverisjen Kurti, ajo raportohet se trajtohet si armik. Jemi dëshmitarë të etikimit e linçimit të mediave dhe gazetarëve kritikë si “bashkëpunëtore të Serbisë” nga lidershipi më i lartë shtetëror.
Nga sulmet verbale publike e deri te linçimi digjital, gjuha politike e qeverisë ka krijuar klimë frike, ku gazetarët shpesh zgjedhin heshtjen në vend të pyetjeve kritike. E heshtja e medias është fillimi i autokracisë.
Në vend të një klime demokratike ku gazetaria ndjehet e mbrojtur, raporti nënvizon raste të dhunës, kërcënimeve dhe presionit ndaj gazetarëve, një fenomen që në çdo demokraci është alarm i kuq. Qeveria që doli mbi valën e aktivizmit qytetar tash akuzohet për mbytje të hapësirës kritike, për etiketime publike dhe për përpjekje të vazhdueshme për të delegjitimuar mediat të cilat nuk i shërbejnë narrativës së saj. Ky është regres, jo progres.
Më tej, raporti shënon se ka edhe “korrupsion serioz brenda qeverisë”, duke e demaskuar narrativën e vetëshpallur për luftë kundër korrupsionit dhe duke e vendosur shtetin përballë një pasqyre të vërtetë, larg retorikës dhe propagandës së pushtetit, të cilën e ngritën duke shënjestruar ish-qeveritë e kaluara me sloganin “20 vite shkatërrim” si perceptim dhe mjet i okupimit psikologjik politik për të fshehur misionin kriminal, cenimin e funksionalitetit kushtetues dhe abuzimin me pushtetin që e fituan përmes propagandës.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë tema më neuralgjike e raportit të SHBA-së, jo më si narrativë e së kaluarës, por realitet i të sotmes së qeverisjes Kurti. Në dokument shkruan qartë, i referohem në origjinal nga burimi si: “serious government corruption”, apo në shqip, “korrupsion i rëndë qeveritar”.
Kjo do të thotë se korrupsioni nuk është fjalë e opozitës, në këtë rast dhe ndaj kësaj qeverie, por diagnozë e SHBA-së.
Në këtë vazhdë, edhe më e rëndë është fraza, citoj në origjinal nga burimi: “credible but inconsistent steps to investigate and punish officials”, apo në shqip, “hapa të besueshëm, por të papërputhshëm për të hetuar dhe ndëshkuar zyrtarët”.
Pra, institucionet veprojnë vetëm aty ku nuk rrezikohet struktura politike e partisë në pushtet. Kjo do të thotë se nuk kemi luftë kundër korrupsionit; kemi selektivitet. Në vend të sundimit të ligjit kemi sundim të interesit politik të qeverisë.
Raporti në fjalë, përmes dukurisë së korrupsionit qeveritar, e vë Kosovën në radhën e vendeve ku korrupsioni nuk është më thjesht fenomen periferik, por pjesë e strukturës së pushtetit.
Nëse një qeveri që erdhi me premtimin e pastrimit moral sot renditet nën vëzhgim ndërkombëtar për korrupsion, atëherë miti moral ka rënë.
Një fushë ku godet raporti në fjalë janë të drejtat sociale dhe komunitetet specifike, lajthitjet që nuk duhen neglizhuar.
Raporti flet gjithashtu për dhunë të gjerë mbi bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje dhe në partneritet. Në një shoqëri të vogël dhe të brishtë si e jona, shteti pritej të ishte mburojë, jo spektator. Por raporti dëshmon se mbështetja për viktimat, trajtimi institucional, parandalimi dhe ndëshkimi mbeten të pamjaftueshme, një dështim që i bie mbi shpatullat e qeverisjes aktuale.
Një element tjetër që bie në sy në përmbajtjen e raportit është siguria e komuniteteve etnike dhe grupeve të margjinalizuara. Dokumenti nënvizon raste të dhunës dhe kërcënimeve ndaj minoriteteve, çka dëmton jo vetëm imazhin demokratik të shtetit, por edhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës në dialogun dhe raportet me partnerët. Qeveria ka ndërmarrë hapa sporadikë dhe të pjesshëm për hetim dhe ndëshkim të shkelësve, por jo një politikë të qëndrueshme. Në terma diplomatikë kjo do të thotë se institucionet reagojnë kur detyrohen, jo kur duhet.
Raporti evidenton probleme serioze në fusha sociale, siç janë, citoj nga burimi:
– dhunë ndaj grave dhe partnereve, ku qeveria etiketohet edhe për shkak të gjuhës politike që ka polarizuar shoqërinë deri në ekstrem.
– mungesë mbrojtjeje efektive për punëtorët dhe diskriminim, duke ndjellë frikë e pasiguri nga monitorimi përmes të punësuarve që bëjnë rolin e “komisarëve partiakë” në institucione.
– presion ndaj sindikatave, injorim i kërkesave dhe fyerje, shantazhim e kërcënim.
– krime dhe diskriminim ndaj komuniteteve etnike, është një faturim politik e diplomatik ndaj qeverisë, që kanë shkaktuar politikat pseudopatriotike të kësaj qeverie në vendbanimet e komuniteteve.
Kjo tregon se qeveria ka dështuar të ndërtojë një shtet që mbron më të brishtit.
Një qeveri matet jo nga fjalimi i kryeministrit, por nga siguria e qytetarit.
Këto tema mbi të cilat e kam vënë tehun e qasjes nuk janë as terma teknikë dhe as vlerësime abstrakte. Janë goditje politike të drejtpërdrejta që rrëzojnë pretendimin se qeveria Kurti ka sjellë epokën e pastërtisë morale, të sundimit të ligjit dhe të shtetit social.
Nëse gjyqësori nuk është i pavarur, atëherë drejtësia është selektive.
Nëse mediat intimidohen, atëherë transparenca shuhet.
Nëse korrupsioni qeveritar është realitet, atëherë pushteti nuk është reformator; përkundrazi, është riprodhim i modelit që vetë e akuzonin deri në kauzë elektorale.
Raporti i SHBA-së nuk është tekst kritik, por diagnozë politike për një sistem që rrëshqet drejt kontrollit të pushtetit në dëm të demokracisë.
Pra, qeveria, institucionet e me theks shoqëria civile, nuk guxon ta trajtojë këtë raport si letër burokratike. Ky është aktgjykim politik. Është dokument që duhet lexuar nga çdo qytetar, çdo gazetar, çdo deputet dhe veçanërisht nga Qeveria e Kosovës, e cila prej vitesh e ka ndërtuar identitetin mbi pretendimin se po e reformon shtetin. Por, kur SHBA, partneri më i rëndësishëm i Kosovës, thotë se s’ka ndryshim domethënës, se ka ndërhyrje në drejtësi, se mediat po goditen, se korrupsioni vazhdon dhe se dhuna ndaj komuniteteve të cenueshme nuk po trajtohet me prioritet, atëherë propaganda bie, ndërsa e vërteta zhvesh pushtetin.
Nga kjo çasje analitike e dokumentit në segmente të caktuara, që prezantojnë identitetin e qeverisjes Kurti, me këtë dhe të Kosovës, konkluzioni politik imi është se ky raport është pasqyra që Kurti nuk mund ta thyejë.
Ai nuk flet me emocione, por me fakte.
Ai nuk anon kah opozita, por kah demokracia.
Dhe ai konstaton se Kosova sot vuan nga fenomene si korrupsion qeveritar, gjyqësi jo të pavarur, media të frikësuara, mungesë mekanizmash ndëshkues.
Kur pushteti që erdhi për të luftuar korrupsionin përfundon i identifikuar nga SHBA me korrupsion serioz, jemi para jo veç një dështimi, por një mashtrimi politik kombëtar.
Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë raport është fakti se qeveria nuk ka reaguar me seriozitet, nuk ka pranuar përgjegjësi dhe nuk ka treguar gatishmëri për korrigjim.
Heshtja institucionale nuk është rastësi; është strategji. Sepse pranimi i problemit nënkupton dorëheqje nga miti moral mbi të cilin ndërtohet legjitimiteti politik.
Por faktet janë kokëforta, sepse është SHBA që po deklaron ndërhyrje në gjyqësor, kufizim të mediave dhe korrupsion qeveritar.
Ky është alarm që asnjë pushtet nuk mund ta shpallë propagandë, sepse vjen nga partneri strategjik i Kosovës, nga institucioni që e ka mbështetur shtetin më shumë se kushdo.
Kjo është fatura politike që pritet të paguhet. Dhe pyetja që mbetet është se: a do të vazhdojë Kosova me retorikë, apo do të zgjohet para se ky raport të bëhet hyrje drejt aktakuzës së ardhshme ndërkombëtare ndaj qeverisë?
Nëse një qeveri nuk i pranon gjetjet, nuk i trajton seriozisht dhe nuk ndryshon kursin, atëherë raporti i ardhshëm nuk do të jetë më paralajmërim, ai vërtetë do të jetë akt akuze. Kjo është fatura politike që çdo qeveri e përgjegjshme duhet ta lexojë pa arrogancë dhe pa alibi.
Demokracia nuk bie brenda natës, por bie me raporte të tilla kur pushteti zgjedh të heshtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të martën se Shtetet e…