Raporti i GAP zbulon pabarazi gjinore dhe etnike në programet e mbështetjes për biznese
Instituti GAP ka prezantuar raportin me temën “Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë”.
Në bazë të këtij raporti janë shfaqur shkeljet gjinore dhe etnike të programet e mbështetjes për biznese.
Drejtori ekzekutiv në Institutin GAP, Blendi Hasaj, ka theksuar se fuqizimi ekonomik i grave dhe komuniteteve pakicë është i rëndësishëm dhe kërkon trajtim të duhur.
“Fuqizimi ekonomik i grave dhe komuniteteve pakicë është një temë tejet e rëndësishme, dhe trajtimi i duhur i saj kërkon pikërisht angazhim të vazhdueshëm por edhe hulumtime që të kuptohet më saktësisht si shkalla aktuale e përkrahjes, nevoja për përkrahje, kapacitetet absorbuese të tyre, por edhe të mendohet e trajtohen tema edhe të llojit që flasin për sfidat dhe potencialet për rritjen e zgjerimin e tyre, të ndryshohet struktura aktuale ku 99% e bizneseve aktualisht janë biznese mikro, pra që të shkohet edhe një hap më tej. Në këtë aspekt, si institut, jemi angazhuar tash e një kohë që të sjellim raporte që e japin një pasqyrë të saktë për numrin, profilin dhe shtrirjen e bizneseve të grave në Kosovë, nivelin e anëtarësimit, sfidat dhe përfitimet nga shoqatat dhe odat e bizneseve, qasjen në financa dhe problemet në sigurimin e kolateralit, se sa janë duke përfituar bizneset e grave nga tregtia elektronike, dhe më shumë. Për ne, punimi që po e publikojmë sot është i rëndësishëm pikërisht në këtë aspekt, sepse jep shifra më konkrete për mbështetjen që gratë marrin nga fondet publike sikurse janë subvencionet dhe grantet, e që aktualisht është ndihmë e pamjaftueshme”, ka theksuar Hasaj.
Anisa Zogaj, hulumtuese në Institutin GAP, ka prezantuar raportin, derisa ka theksuar se vetëm 7% e bizneseve në pronësi të grave dhe 8% në pronësi të pakicave etnike kanë përfituar ndonjë lloj mbështetje.
Drejtori menaxhues nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Besnik Berisha, ka thënë se FKGK-ja nuk realizon financime, por është urëlidhëse e financimit.



