
Raporti i IKD-së: Ministrat e qeverisë Kurti II, kundërligjshëm ushtruan dy pozita
Në raport është thënë se Kushtetuta dhe Ligji për qeverinë ndalojnë qartë që një person të mbajë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë. Megjithatë, shumica e anëtarëve të qeverisë në detyrë kanë vazhduar t’i mbajnë të dy funksionet, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjin.
Mes tjerash në raport ceket se kjo ka dëmtuar edhe imazhin tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët deklaruan se nuk do të zhvillojnë takime me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë.
Sipas raportit, qeveria Kurti II është karakterizuar edhe si qeveri me ushtrues detyre.
“Një numër i madh i pozitave janë mbajtur për vite të tëra nga ushtrues detyre, pa u zhvilluar procedurat e rregullta të rekrutimit. Gjykata Supreme ka theksuar se çdo pozitë e mbajtur me ushtrues detyre përtej afatit ligjor është e kundërligjshme dhe vendimet e nxjerra në këto rrethana janë të pavlefshme. Kjo praktikë, e kundërt me standardet ndërkombëtare të qeverisjes së mirë, ka dëmtuar meritokracinë, ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve dhe ka rritur potencialin për korrupsion”, është thënë në raportin e IKD-së.