Raporti i Organizatës Britanike: Kosova u mobilizua për blerje të armatimit pas sulmit në Banjskë
Një lidhshmëri në politikat e Serbisë dhe Rusisë nuk mund ta vë askush në dyshim.
Madje të dyja bashkë sipas një raporti britanik, qëllim kishin edhe destabilizimimin e Kosovës. Në raportin e organizatës New Diplomacy Project me temën “Rikthimi i Lidershipit Britanik në Ballkanin Perëndimor”, përmendet edhe sulmi terrorist i Banjskës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, e Milan Radoiçiq vazhdon të endet i lirë në Serbi, pavarësisht thirrjeve edhe të Sekretarit të NATO-s, Mark Rutte që ai t’i dorëzohet drejtësisë.
“Në Kosovë, Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunuar ngushtë për të nxitur krizën më të madhe të sigurisë në Evropë jashtë fushëbetejave të Ukrainës. Sulmi paramilitar i shtatorit 2023 në Banjskë nga ekstremistë të armatosur me lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq rezultoi me katër të vrarë, përfshirë një oficer të policisë së Kosovës. Ngjarjet në Banjskë çuan në një kritikë të rrallë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë serbe nga administrata e atëhershme e Bidenit, e cila kishte frikë se grumbullimi i madh i trupave nga Beogradi përgjatë kufirit me Kosovën ishte hyrje në një pushtim të plotë. Personi kyç pas sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, ende ndodhet i lirë në Serbi, pavarësisht kërkesave të disa qeverive dhe institucioneve perëndimore, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Këto ngjarje pasojnë vite provokimesh nga qeveria serbe që vazhdojnë ende”, thuhet nga Raporti i New Diplomacy Project.
E gjenerali në pension i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se me këtë raport lë të kuptohet se tashmë të gjitha shtetet kanë kuptuar Serbinë, ndonëse nuk po vënë sanksione ndaj saj.
“Fatkeqësisht në këtë drejtim akoma nuk kemi asnjë përgjigje adekuate nga Bashkimi Evropian që ta fusë Serbinë në sanksione të e bëjë presion më të madh ekonomik dhe politikm, që Serbia të kthehet përgjithmonë në drejtim të duhur nga BE-ja nëse ajo mendon edhe më tutje që të ulët në dy karrige ajo mund të bjerë poshtë..”, ka deklaruar Kadri Kastrati – Gjeneral i FSK-së në pension.
Raporti flet edhe për armatimin e Kosovës, e që sipas tij, institucionet janë mobilizuar më shumë pas sulmit në Banjskë. Por, Kastrati nuk mendon se kjo qëndron.
“Unë nuk mendoj se është mobilizuar pas sulmit terrorist në Banjskë që të bëjë furnizime më shumë armatim, sepse plani 10 vjecar i Forcave të Armatosura është duke ecur me dinamik normale jo aq sa ne dëshirojmë jo as sa është plani i paraparë sepse s’kemi institucione, s’kemi qeveri, buxheti nuk është aprovuar, në të kaluarën kanë bërë marrëveshje qeveri..”, ka deklaruar Kastrati.
Së fundmi Forca e Sigurisë së Kosovës u pajis edhe me mijëra dronë luftarakë kamikazë, Skydagger.



