Raporti i Progresit: Sanksionet hiqen “kur të bartet pushteti lokal në veri”
Dy deklarata ndërmjet dy muajsh kohë, që të dyja të Albin Kurtit të Vetëvendosjes. Derisa vendi ishte sanksionuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Ameirkës (përjashtimi nga Defender 2023), Albin Kurti-dhe-teposhtë ishin angazhuar për t’i qëndruar stërzbutjes kuptimore të fjalës “masa” sikur në vete ishin të papesha dhe se sundimi i ligjit ishte ungjilli veprues në veri: katër kryetarë shqiptarë ishin instaluar në komuna të banuara me shumicë serbe, çka Bashkimi Evropian e kishte parë për guvernancë jolegjitime në ato zona. Një sërë ndëshkimesh, prej monetare e politike, ishin drejtuar kah Kosova me vetëm një metodë prapakthyese: kthimin e përfaqësimit politik të serbëve në veri të vendit. Nga BE-ja në pyetjet “kur hiqen masat” fraza shkonte “kur të ketë deeskalim”, ndërsa diplomatë individualë thonin: “…kryetarët”. Gati tre vite më vonë përgjigja është e njëjtë.
Kthimi i përfaqësimit politik të serbëve në veri u bë lajtmotiv i ambasadave të QUINT-it që prej nisjes së procesit zgjedhor lokal: për çka BE në një komunikatë për media kërcënoi se “ndalimi i disa partive politike (Listës Serbe dhe Demokracisë Serbe)” do të vendoste në pikëpyetje “marrëdhënien e ardhshme të BE-së me Kosovën”. Zgjedhjet lokale u konkluduan dhe Lista Serbe i fitoi që të gjitha komunat veriore me votë dërmuese, dhe nga BE u zbutën fjalët: masat do të hiqeshin, thanë ata për një numër mediash, kur të bëhet “transferimi i rregullt” i pushtetit.
Raporti i Progresit për vitin 2025 që u publikua–dhe prezantua–dje në Zyrë të Kryeministrit nga Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, përmbante të njëjtat fjalë. Veçse tash u frazua si “heqja e mëtejme” e masave ndëshkuese kur të bartet pushteti lokal në veri. “Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kusht që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes vendore në veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe të vazhdojë de-përshkallëzimi”, thuhet në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën (Faqe 91, Paragrafi 1).
Kostoja financiare, politike dhe imazhi i vendit
Masat “të përkohshme e të kthyeshme” që Bashkimi Evropian i vendosi Kosovës në qershor të vitit 2023, pas tensioneve në veri, rezultuan të jenë ndër më të kushtueshmet për shtetin. Edhe pse u quajtën “masa ndëshkuese”, në thelb ato ishin sanksione (shih, Albin Kurti për Deutsche Welle) që pezulluan miliona euro ndihmë e bashkëpunim institucional.
Sipas Institutit GAP, mbi 613 milionë euro fonde nga programet IPA dhe WBIF u pezulluan ose u vonuan, përfshirë projekte në energji, mjedis e infrastrukturë. Për një ekonomi të vogël si ajo e Kosovës, këto vonesa u përkthyen në humbje të investimeve, vendeve të punës dhe zhvillimit.
Në planin politik, Brukseli ndërpreu kontaktet e nivelit të lartë me Kosovën dhe kufizoi bashkëpunimin financiar, duke e izoluar më tej Kosovën në arenën evropiane, ku Kosova s’ka as status të vendit kandidat, dhe dështoi të bëhej pjesë edhe Këshillit të Evropës. Ky bllokim dobësoi ndikimin diplomatik të qeverisë dhe i dha Serbisë terren për të forcuar narrativën se Kosova është “partner i vështirë”. Në vend, masat shërbyen për t’i dhënë brum edhe më tej retorikës sovraniste të Albin Kurtt.
Ndikimi u ndje edhe në rrugëtimin evropian të Kosovës. Projekte që do të ndihmonin përafrimin me standardet e BE-së u ngadalësuan, ndërsa qasja në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh mbeti e kushtëzuar.
Në arenën ndërkombëtare, reputacioni i Kosovës si partnere e besueshme u zbeh. Për investitorët dhe donatorët, pezullimi i projekteve solli pasiguri dhe ngurim. Për qytetarët, kjo u përkthye në vonesa, projekte të ngrira dhe më pak mundësi ekonomike.



