Raporti me diasporën, Hasani apel: Të shtensionohet situata, e dhimbshme si ka humb kohezioni shoqëror
Përgjatë viteve të fundit në Kosovë ka filluar një diskutim i cili herë pas herë mbizotëron plotësisht sferën e debateve, qofshin ato televizive apo edhe shoqërore mes miqsh. Fjala është për raportet mes diasporës së Kosovës dhe atyre që jetojnë në vend. Kjo temë, është ringjallur sidomos ditëve të fundit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku mendohet se një pjesë e madhe e mërgatës, votoi ‘pro’ LVV’së duke ia dhënë edhe fitoren bindëse kësaj të fundit. Megjithatë, debatet për këto raporte, shumë herë janë ashpërsuar, qasje e cila vërehet edhe përmes komenteve të ndryshme në rrjetet sociale.
Lidhur me këto raporte, ka dhënë komentet e tij, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.
Ky i fundit, ka bërë apel drejtuar të gjithëve, si atyre që jetojnë në Kosovë, dhe atyre që janë jashtë, që ta ‘’shtensionojnë’’ raportin, dhe që të mos ‘’i marrin afër zemre’’ situatat politike, duke theksuar se kjo e fundit dhe pushtetet ndryshojnë nga dita në ditë.
‘’Prej se e maj në mend unë, nuk kam besu që mundet populli shqiptar i Kosovës brenda në Kosovë dhe në diasporë dhe kudo që jeton, me kriju dikotominë që thotë Karl Schmidt mik-armik, friend-enemy, që është parakusht për acarim të konfliktit shoqëror. Është humb, aq shumë është prish kohezioni shoqëror sa që është e pabesueshme. Unë në këtë rast, si qytetar, si punëtor i gjatë i arsimit, mund t’i bëj apel të gjithë votueseve në Kosovës dhe jashtë Kosove, që ta shtensionin, të mos i marrin ngat zemre dhe të mos t’i personalizojnë gjërat se ka këtu njerëz, analist që del flet e është e drejtë e çdo kujt. Nuk po thotë asnjë pushtet në Kosovë, asnjë pozitë, që ta merr se politika se është kështu sot, nesër ndryshon, nesër e merr dikush tjetër pushtetin, dhe të mos t’i prishin marrëdhëniet’’, ka thënë ai në Atv.
Hasani, më tej, ka kërkuar që qytetarët, të jenë më të arsyeshëm për raportet dhe qëndrimet e tyre, edhe për hir të sakrificave të shumta që janë bërë për lirinë e vendit, duke deklaruar edhe se, përfaqësuesit politikë ‘’kanë me u rrokë përqafe’’ për tema të caktuara.
‘’Diaspora është një Kosovës tjetër, ka dalë jashtë dhe anasjelltas, ne jemi për shumë dimensione, për hir të atij gjaku që është derdh, atyre fëmijëve, nënave, motrave, gjithë atyre dhunimeve, mbi të gjitha gjaku i atyre dëshmorëve që me vetëdije kanë shku me u sakrfiku për liri, me qenë pak më të arsyeshëm, si na këtu që jem edhe në diasporë, le të votojnë si të dojnë. Unë iu kisha bë thirrje që njerëzit me qenë më të arsyeshëm, se këto janë politike. Politikanët nesër hidisen, qysh janë rrok përqafe, siç do t’i shihni që do rroken përqafe për tema të caktuara, dhe mos të jetë hidhërimi’’, ka thënë ai.
Në fund, ish kryetari i Kushtetueses, ka folur për pajtimin e gjaqeve gjatë viteve ’90, duke kujtuar një edhe një bisedë me Anton Çetën. Po ashtu, Hasani ka theksuar se si në rrjetet sociale, postimet që bëhen janë mbi 99%, kundër njëri-tjetrit, e jo kundër Serbisë.
‘’Po e boj një digresion të vogël, e di në 89/90 kur jam hi në jetë publike në Mitrovicë si një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe filluam pastaj pajtimin e gjaqeve, për mua ishte absurde për gjeneratën teme, edhe se kuptoja gjithë ai pajtim që bëhej. E kam pytë Anton Çetën, tha ‘’shiko, shqiptarët gjithmonë kanë bë islihat, janë pajtu kur ka pas kriza’’. Unë po ju them sot, merri këqyri rrjetet sociale, është e dhimbshme, asnjë send kundër Serbie nuk është, 99% me mijëra postime që bëhen në Kosovës dhe jashtë saj, i ke kundër njëri-tjetrit. Ne kemi telashe me Serbinë, nuk e kem mbyllë hala problemin me Serbinë. Do të thotë, është gabim është fatale në një rrethanë të caktuar ky kohezivitet që është prishë kaq shumë. Dhe duhet me ndërpre, njerëzit duhet me thanë: ‘’Le voto kë të dush, kënaqu edhe festo’’, në krejt botën kështu shko, mos e kthe në mik-armik’’, ka thënë ai.



