Raporti që i tregon Kosovës rrugën për në Këshill të Evropës

30 nëntor 2023 | 08:15

Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka marrë një vlerësim të rëndësishëm.

Dy avokatë të këtij institucioni, pas qëndrimit në vendin tonë për një kohë, nxorën raportin që vlerësonte nëse sistemi ligjor i Kosovës, ishte i përafërt me standardet ndërkombëtare me ato të Këshillit.

Vlerësime pozitive, por edhe lëvdatat për një prej pikave, jepen në raportin 33 faqesh të punuar nga avokatët, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert.

Raporti po ashtu konsideron se Republika e Kosovës është demokraci parlamentare funksionale dhe siguron një nivel të vetëqeverisjes lokale në përgjithësi në përputhje me standardet evropiane.

“…167. Për të përmirësuar situatën, autoritetet duhet në veçanti: të zbatojnë pa vonesë të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit të Deçanit; të respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit, duke përfshirë edhe përmbajtjen nga kritikat e panevojshme minimin e besimit në gjyqësor;…”, thuhet në Raportin e Këshillit të Evropës.

Por, çështje që diskutohen shpesh, nuk kanë munguar as në këtë raport pa u trajtuar, si rasti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“…165. Autoritetet duhet të braktisin kundërshtimin e tyre ndaj themelimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe të hyjnë në negociata në mirëbesim për themelimin e një asociacioni të tillë….”, thuhet tutje.

“Lëvizja Fola” ka qenë njëra ndër 10 organizatat e shoqërisë civile në takim me këta dy avokatë, ndërsa drejtoresha Mexhide Demolli, vlerëson se vetëm për çështjen e asociacionit mund të ketë pasur përparim për dallim me raportin.

“Nëse ka ndonjë vendim që nuk ju shkon për shtati atëherë e kemi po atë gjyqësor po atë Prokurori që mos të them “kërcënohen” se është fjalë e madhe, por kritikohen aq shumë saqë fillon edhe një far lloj fushate për linqimin e tyre….Ata gjyqtar që kanë marrë një vendim të tillë, kanë pasur diçka për bazë, edhe vendimet çka vijnë nga Gjykata Kushtetuese qoftë jo, ose po në favorin tonë, ato duhet të respektohen”, ka thënë Demolli

Raporti po ashtu bënë thirrje që të vazhdohet reforma e gjyqësorit, të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Pas publikimit të përmbajtjes ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.

“Lajmi i mirë: rregullat ligjore në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Lajmi i keq: Mos-zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Deçan shënon ‘shkelje të qartë të sundimit të ligjit’”, ka deklaruar Jorn Rohde, Ambasadori i Gjermanisë.

Rohde vlerëson se raporti tregon se standardet e larta ligjore me raste nuk zbatohen plotësisht, prandaj bënë thirrje që të respektohen ligjet në mënyrë që të ecet përpara në rrugën e anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Përpos shoqërisë civile, avokatët gjatë shtatorit në Kosovës kanë takuar, përfaqësues politik ndërkombëtar e vendor, ndërsa vetëm përfaqësuesit e Listës Serbe nuk iu përgjigjën ftesës sonë për t’u takuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një armëpushim i përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit është zgjatur…