Raportimi financiar në komuna në fokus të punëtorisë së përbashkët ZKA-DEMOS
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në bashkëpunim me projektin DEMOS, të mërkurën organizoi punëtorinë “Përmirësimi i cilësisë së raportimit financiar në nivelin komunal”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve kryesorë financiarë dhe zyrtarëve të tjerë nga komunat e Kosovës.
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, në fjalën e saj tha se rezultatet e auditimit të pasqyrave financiare vjetore për vitin 2024 tregojnë se raportimi financiar në nivelin lokal vazhdon të përballet me sfida serioze. “Nga 38 komuna, 31 prej tyre kanë marrë opinion të modifikuar, dhe ky fakt flet qartë se ende ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet kërkesave të standardeve të raportimit financiar dhe praktikës aktuale në shumicën e komunave”, u shpreh Spanca.
Auditorja e Përgjithshme kërkoi vëmendjen e zyrtarëve komunalë për çështjet që kanë ndikuar në përcaktimin e opinionit të auditimit, e që kryesisht lidhen me klasifikimin jo të saktë të shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, si dhe mangësitë në shpalosjen dhe paraqitjen e detyrimeve të papaguara dhe atyre kontigjente.
Ajo tha se kjo punëtori duhet të shërbejë si thirrje për veprim dhe se zbatimi i rekomandimeve të auditimit nuk duhet të shihet vetëm si obligim formal, por si një mjet praktik për përmirësimin e qeverisjes financiare në komuna.
Nga ana e tij, menaxheri projektit DEMOS, Ertan Munoglu, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me ZKA-në por edhe me Thesarin dhe Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, duke theksuar se projekti do të vazhdojë të mbështesë komunat në adresimin e çështjeve që ndikojnë në opinion dhe uljen e gabimeve në raportim.
Gjatë punëtorisë, drejtorët e auditimit, Blerim Kabashi dhe Lavdim Maxhuni, prezantuan çështjet kryesore që kanë ndikuar në opinionin e auditimit në nivelin lokal, si dhe çështjet që lidhen me pagesat për vendime gjyqësore dhe shpjegimet për shpalosje.
Gjatë diskutimeve të hapura, zyrtarët komunalë ngritën shqetësime lidhur me vështirësitë në trajtimin e çështjeve që kanë ndikuar në opinionin e auditimit, përfshirë pagesat nga vendimet gjyqësore dhe përmbarimore, veçanërisht ato që lidhen me kontratën kolektive dhe barrën financiare që paraqesin për komunat.
Punëtoria shërbeu si platformë për dialog profesional dhe shkëmbim përvojash, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së, DEMOS-it dhe komunave për rritjen e transparencës, përmirësimin e raportimit financiar dhe forcimin e llogaridhënies në nivelin lokal.



