Raportuesja Viola Cramon thotë të pavërteta për mandatin e Gjykatës Speciale

27 korrik 2020 | 08:02

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e ka quajtur skandal vizitën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në Gjykatën Speciale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se ajo ka thënë të pavërteta për mandatin e kësaj gjykate pas vizitës që i ka bërë në Hagë.

Sherifi ka bërë me dije se ajo ka dezinformuar kur ka thënë: “Gjykata do të sjellë drejtësi në Kosovë ndaj atyre personave që besohet se kanë kryer krime lufte pavarësisht prej kombësive të tyre”.

Sipas tij, nëse Von Cramon nuk e di që Gjykata Speciale do t’i dënojë vetëm shqiptarët, ajo duhet të kërkojë falje.

Sherifi ka folur edhe për rifillimin e dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, takimi i parë në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë ka qenë dialog para dialogut.

“Nëse do të duhet ta përkufizojmë takimin e lartpërmendur, atëherë ai mund të cilësohet si ‘dialog para dialogut’. Ajo që është thelbësore për takimet e kësaj natyre lidhet me domosdoshmërinë e qartësimit nëse njohja reciproke e dy shteteve do të jetë epilog i këtij dialogu. Në të kundërtën, do të kemi përsëritje të asaj që kemi parë që nga viti 2011”, është shprehur ai.

Sherifi ka folur edhe për mospajtimet e partnerëve të koalicionit rreth koordinatorit shtetëror për dialogun e Brukselit. Sipas tij, mospajtimet kanë të bëjnë me mandatin e koordinatorit dhe jo me emrin e Skender Hysenit.

“Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka sqaruar se mospajtimet tona lidhen me mandatin e koordinatorit dhe jo me emrin e Skender Hysenit. Kjo çështje diskutohet në nivele më të larta partiake ndërmjet kryetarëve të partive, njëherësh edhe me kryeministrin e vendit. Shpresoj të mbizotërojë arsyeja dhe të dalim sa më të fuqishëm në sfidat që na presin”, ka deklaruar Sherifi.

“Epoka e re”: Z. Sherifi, tashmë ka rifilluar procesi i dialogut me Serbinë në Bruksel. Cili është mendimi juaj për këtë takim?
Bilall Sherifi: Po, javën që shkoi në Bruksel është mbajtur një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Mirëpo ende nuk mund ta quajmë rifillim të dialogut ndërmjet dy shteteve. Nëse do të duhet ta përkufizojmë takimin e lartpërmendur, atëherë ai mund të cilësohet si “dialog para dialogut”. Ajo që është thelbësore për takimet e kësaj natyre lidhet me domosdoshmërinë e qartësimit nëse njohja reciproke e dy shteteve do të jetë epilog i këtij dialogu. Në të kundërtën, do të kemi përsëritje të asaj që kemi parë që nga viti 2011. Ajo që dëshiroj të theksoj për lexuesit e “Epokës së re” lidhet me vendosmërinë e spektrit të gjerë politik në Kosovë që të mos lejohet që ky dialog të rrëshqasë në kornizat e një dialogu teknik për çështjet thelbësore politike.

“Epoka e re”: Në takim me kryeministrin Hoti ju ishit kritik ndaj tendencës që të “rrëshqitet” siç thoni ju, në “dialog teknik”. Ku qëndrojnë arsyet e një qëndrimi të tillë?
Bilall Sherifi: Në takim me z. Hoti shpreha shqetësimet e Nismës Socialdemokrate për rreziqet që do të ngërthente realizimi i një hipoteze të tillë. Arsyet e qëndrimit tonë janë të qarta dhe kuptohen lehtë: Të gjithë e dimë se rezultati i dialogut teknik nuk ka sjellë as normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, as njohje reciproke. Përkundrazi. Serbia e ka shfrytëzuar këtë formë të dialogut për të zbatuar një fushatë të përmasave ndërkombëtare për çnjohjen e shtetësisë së Kosovës dhe, fatkeqësisht, kanë pasur sukses te një numër shtetesh që kanë tërhequr njohjet e tyre. Nëse BE-ja nuk ka një ide të qartë se si ta bindë Serbinë që ta njohë shtetin e Kosovës, atëherë Kosova nuk e ka asnjë arsye të rifillojë një proces të dialogut që nuk garanton njohjen nga Serbia.

“Epoka e re”: Nisma është ankuar se nuk është konsultuar nga kryeministri për zgjedhjen e Skender Hysenit koordinator shtetëror për dialog. A e përkrahni z. Hysenin për koordinator?
Bilall Sherifi: Kryetari i Nismës, z. Fatmir Limaj, ka sqaruar se mospajtimet tona lidhen me mandatin e koordinatorit dhe jo me emrin e Skender Hysenit. Kjo çështje diskutohet në nivele më të larta partiake ndërmjet kryetarëve të partive, njëherësh edhe me kryeministrin e vendit. Shpresoj që të mbizotërojë arsyeja dhe të dalim sa më të fuqishëm në sfidat që na presin.

“Epoka e re”: Qeveria Hoti po i bën dy muaj qëkur e ka marrë mandatin. Cili është vlerësimi juaj për këtë qeveri, a po i përmbush pritjet e Nismës?
Bilall Sherifi: Mendoj se deri më tani është brenda pritjeve tona. Natyrisht se gjithnjë ka vend për kritika, por jo të atij niveli ku mund të vihet në dilemë funksionimi i kësaj qeverie.

“Epoka e re”: Derisa Kosova pritet të përballet me proceset shumë të rëndësishme, si dialogu me Serbinë, Gjykatën Speciale, qeveria aktuale duket e brishtë në numra. Mund të vazhdojë kjo qeveri të përballet me këto sfida apo e shihni si mundësi zgjerimin e koalicionit?
Bilall Sherifi: Pajtohem me ju kur thoni se Kosova pritet të përballet me sfida të rënda. Si dialogu, Gjykata Speciale, tani edhe përkeqësimi i gjendjes me Covid-19 që ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet e tërësishme shoqërore dhe ekonomike. Nisma Socialdemokrate e Kosovës nuk është kundër zgjerimit të qeverisjes me të gjithë ata që janë të interesuar të kontribuojnë që të dalim fitimtarë në të gjitha sfidat që kemi përballë, mirëpo kjo çështje u takon forcave politike dhe liderëve të tyre nëse do të udhëhiqen nga një qasje prej burrështetasve që tejkalon këndvështrimin e ngushtë partiak apo do të vazhdojnë të udhëhiqen nga interesa vetëm partiake.

“Epoka e re”: Nisma pas daljes së deputetit Haxhi Shala në AAK, ka mbetur pa grup parlamentar. Do të vazhdoni të veproni në Kuvend pa grup parlamentar apo synoni ta riktheni grupin parlamentar?
Bilall Sherifi: Mbi 42 mijë votues të koalicionit Nisma-AKR kanë vendosur që në legjislaturën e re ky koalicion të përfaqësohet me grup parlamentar. Deputetët e kanë për detyrë që zërin e tyre ta përcjellin në Kuvendin e Kosovës qoftë duke funksionuar si grup parlamentar qoftë si deputet veç e veç.

“Epoka e re”: Cili është komenti juaj për vizitën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, zonjës Viola von Cramon, në Gjykatën Speciale në Hagë. Ajo e arsyetoi vizitën e saj?
Bilall Sherifi: Unë sapo e pashë njoftimin e saj në “Twitter”, reagova ndaj kësaj vizite, prandaj vazhdoj të konsideroj që vizita që ajo i ka bërë Gjykatës Speciale përbën skandal. Ajo u mundua vizitën e saj ta arsyetojë me mandatin që ka si raportuese e PE-së për Kosovën, por ende nuk e ka dhënë asnjë shpjegim se çka kishte parasysh kur tha: “Gjykata është duke bërë punë të jashtëzakonshme për të sjellë drejtësi në Kosovë ndaj atyre personave që besohet se kanë kryer krime lufte, pavarësisht prej kombësive të tyre”. Të gjithë e dimë se shprehja “pavarësisht kombësive të tyre” nuk është e vërtetë. Këtë duhet ta dijë edhe zonja Viola von Cramon. Nëse vërtet nuk e di që kjo gjykatë do të sjellë përpara bankës së akuzës ‘vetëm pjesëtarë të kombësisë shqiptare’, atëherë ajo nuk meriton të jetë raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian. Nëse vërtet nuk ka qenë e informuar për këtë çështje, atëherë ajo duhet të kërkojë falje publike për dezinformimin që ka bërë duke përhapur të pavërteta për gjoja paanshmërinë etnike të kësaj gjykate.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur bëhet fjalë për përhapjen e coronavirusit (COVID-19) në SHBA,…